IPK jep detaje për aksidentin me një këmbësore të lënduar në të cilin u përfshi një nënkolonel i Policisë me veturë zyrtare

Një grua ka mbetur e lënduar si pasojë e një aksidenti, në të cilin është përfshirë një veturë e zyrtare e Policisë së Kosovës të cilën e drejtonte eprori i policisë me gradë të nënkolonelit.

Aksidenti ka ndodhur në magjistralen Mitrovicë-Leposaviq më 09.12.2024.

Kështu konfirmoi për KALLXO.com Arbër Beka, zëdhënës i Inspektoratit Policor të Kosovës.

“Aksidenti raportohet të ketë ndodhur në rrugën nacionale Prishtinë–Leposaviq rreth orës 17:00, ku i dyshuari (punonjësi i PK-së) duke drejtuar automjetin zyrtar dyshohet se ka goditur këmbësoren femër të cilës i ka shkaktuar lëndime trupore. Viktima pas pranimit të ndihmës së parë në Mitrovicë është dërguar në QKUK për trajtim të mëtejshëm”- tha ai.

Eprori i policisë me gradë të nënkolonelit i cili po drejtonte veturën zyrtare u intervistua nga Prokuroria Themelore në Mitrovicë dhe rasti trajtohet në procedurë të rregullt.

“Lidhur me këtë rast hetuesit e IPK-së në koordinim me Prokurorinë Themelore në Mitrovicë kanë ndërmarrë veprime hetimore, ku si i dyshuar në këtë rast është intervistuar eprori i policisë (me gradë të nënkolonelit) i cili ishte duke drejtuar veturën zyrtare. Rasti trajtohet në procedurë të rregullt kurse veprimet tjera do të ndërmerren konform autorizimeve të IPK-së”- potencoi zëdhënësi Beka.

Mitrovicë, vetura e Policisë godet një këmbësore