IPK hap rast ndaj Drejtorit të Policisë Kufitare Nexhmi Krasniqit, pas raportimit të KALLXO.com

Inspektorati Policor i Kosovës ka hapur rast ndaj Drejtorit të Policisë Kufitare në Policinë e Kosovës, Nexhmi Krasniqi.

Rasti është hapur pas raportimit të KALLXO.com se, Krasniqi ishte fotografuar me një person, i cili në vitin 2015 është arrestuar e më pas është dënuar me 20 muaj burgim pasi i njëjti ishte kapur në pikën kufitare në Vërmicë me drogë.

Lajmin për KALLXO.com e kanë konfirmuar edhe vetë zyrtarët e IPK-së me anë të një përgjigjeje me shkrim.

“Inspektorati Policor i Kosovës respektivisht Departamenti për menaxhimin e ankesave ka hapur rast sipas detyrës zyrtare dhe i njëjti është duke u trajtuar në Divizionin e Trajtimit të ankesave”, thuhet në përgjigjen e IPK-së drejtuar KALLXO.com.

KALLXO.com gjatë ditës së djeshme raportoi se si ish- Drejtori i Stacionit Policor në Prizren, tani Drejtor i Policisë Kufitare, Nexhmi Krasniqi ishte fotografuar me një person i cili ishte dënuar për narkotik.

Salmin Badallaj ishte arrestuar nga Policia më 30 gusht të vitit 2015 pasi që në veturën e tij, të cilën e kishte marrë me qira, posedonte 1 kilogram e 73 gramë marihuanë.

Fotot e realizuara e të siguruara nga KALLXO.com tregojnë afërsinë në një darkë mes Nexhmi Krasniqit dhe të dënuarit për narkotik Salmin Badallaj.

KALLXO.com kishte kontaktuar me të dënuarin i cili tani ka kryer dënimin dhe i njëjti ka thënë se nuk ka asnjë lidhje me Krasniqin ndërsa i kishte kërkuar këtij të fundit të bënin një foto, pasi e kishte njohur vetëm për nga emri.

Në lidhje me rastin KALLXO.com kishte kontaktuar edhe vetë Drejtorin e Policisë Kufitare Nexhmi Krasniqin.

I njëjti kishte thënë për KALLXO.com se persona të ndryshëm kërkojnë nga ai të fotografohen me të por që i njëjti e mohon se e njeh Badallajn.

Badallaj gjithashtu ka pranuar për KALLXO.com se në të kaluarën ka pasur shumë probleme me ligjin.

“Kam qenë në burg, i kam mbajt dy vjet. Tash jam i pastër si loti. Njëherë jam marrë me kontrabandë, pak e kam vuajtur dënimin, jam dënu me dy vjet, e dyta kam pasur telashe, jemi plagosur me disa e më kanë plagos edhe këtë e kam vuajtur dënimin”, tha Badallaj për KALLXO.com.

Përfundon intervistimi i Nexhmi Krasniqit rreth vdekjes së Astrit Deharit