Foto: Ilustrim

IPK, gjen ‘spiunin’ brenda AUV-it, dyshohet se lajmëronte bizneset për angazhimet policore

Hetuesit e Inspektoratit Policor të Kosovës, kanë identifikuar se një zyrtar i AUV-it (inspektor i Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinës) i cili dyshohet se lajmëronte bizneset të cilat ishin duke punuar jashtë orarit, në kundërshtim me vendimin e Qeverisë.

Gjatë zbatimit të plani operativ “Monitorimi i zbatimit te masave anti COVID-19, mbrëmë në rajonin e Prizrenit, hetuesit e IPK-së kanë identifikuar se disa bizneset të cilat ishin të hapura pas orarit, dhe po njoftoheshin paraprakisht nga dikush për operacionet e Policisë së Kosovës dhe inspektorëve të AUV-it.

Lidhur me këtë rast është njoftuar Policia e Kosovës dhe ndaj këtij zyrtari të AUV-it, nga ana e hetimeve rajonale të Drejtorisë Rajonale të Prizrenit, është iniciuar rast penal me dyshimin se i njëjti ka kryer veprën penale “Keqpërdorim i informatës zyrtare”, njofton Policia e Kosovës.

Policia, thotë se synimi i këtij monitorimi është që të kontribuohet në ngritjen e përgjegjësisë në ndërmarrjen e veprimeve të nevojshme policore dhe të nxis seriozitetin e strukturës policore që të ndërmarrë hapat efikas në menaxhimin e situatës.

Monitorimi është fokusuar në kapacitetet policore të angazhuara, respektimin e zbatimit të masave të Qeverisë, si dhe bashkëpunimin me akterët tjerë të përfshirë në menaxhimin e situatës së krijuar nga Covid-19.

Policia ka filluar së zbatuari planin operativ në zbatim të vendimeve të institucioneve kompetente, për parandalim të përhapjes së pandemisë COVID-19 duke ndërmarrë në vazhdimësi veprime policore me qëllim të ruajtjes së shëndetit publik, thuhet në njoftimin e Policisë.

Krahas këtyre angazhimeve shtesë të PK-së, në anën tjetër Inspektorati Policor i Kosovës brenda përgjegjësive dhe mandatit ligjor ka hartuar Planin Operativ për monitorimin e respektimit të vendimeve të Qeverisë së Kosovës mbi zbatimin e masave parandaluese kundër përhapjes së COVID-19.