Policia e Kosovës - Foto: KALLXO.com

IPK gjen pjesë të organeve të njeriut që nuk ruhen në frigorifer në stacionet e Policisë

Një ekip i inspektorëve të Inspektoratit të Policisë së Kosovës ka bërë një raport pas inspektimit të bërë për punën e stacioneve rajonale të Policisë së Kosovës.

Në këtë raport, grupi inspektues i IPK-së pas gjetjeve në stacionet policore, ka bërë disa rekomandime për dhomat e dëshmive në drejtori rajonale.

Disa shkelje janë gjetur në stacionet policore në Gjakove, Ferizaj, Gjilan, Mitrovicë, Ferizaj e Prizren për mënyrën e ruajtjes së  dëshmive dhe gjërave të konfiskuara në vende adekuate.

Sipas raportit, ruajtja e këtyre dëshmive nuk bëhet në mënyrën e duhur.

Në bazës të raportit, grupi i inspektimit u ka rekomanduar zyrtarëve përgjegjës të dhomës së dëshmive që të gjitha dëshmitë dhe sendet e konfiskuara të ruhen brenda hapësirave të dhomës së dëshmisë, kurse bankënotat dhe gjërat e çmuara të deponohen në arka të metalta brenda zonës së deponimit të sendeve të dëshmive.

Sipas raportit, në dhomat e dëshmive në Drejtorisë Rajonale të Policisë në Gjakovë, Ferizaj, Gjilan, Mitrovicë e Jugut dhe Mitrovicë e Veriut, janë gjetur mostra biologjike, si pjesë përbërëse të trupit të njeriut, ose material biologjik i njeriut, duke përfshirë organe dhe pjesë të organeve, dhe lëngjet e trupit, të cilat nuk ruhen në frigorifer.

Kurse në stacionin policor në Prizren njëra nga dhjetë dëshmitë e inspektuara është gjetur pa shirit bllombues.

“Ruajtja e dëshmive në këto hapësira të cilët janë të dedikuara për deponim të dëshmive, si dhe pranim të dëshmive në formë të hapur pa shiritin bllombues, që siguron që dëshmia të mos preket, apo të mos hapet pa respektimin e procedurave të përcaktuara, nuk e plotësojmë nivelin e kërkuar të sigurisë për dëshmitë, të cilat vlerësohen të jenë të profilit të lartë të ndjeshmërisë”, thuhet në raport.

Sipas raportit, ruajtja dhe trajtimi i tillë i mostrave biologjike vlerësohet të ketë ardhur nga neglizhenca e zyrtarëve përgjegjës të dhomave të dëshmive.

Inspektimet nga IPK ka filluar më 22 korrik të vitit të kaluar dhe kanë zgjatur për rreth një muaj, ku janë bërë inspektime për performancat e njësive hetimore rajonale, në hetimin dhe zbulimin e krimit dhe menaxhimin e dëshmive dhe gjërave të konfiskuara.

Në raportin e publikuar nga IPK thuhet se ky inspektim ka bërë të ditur nëse po shfrytëzohen në mënyrë efektive burimet policore, dhe nëse janë të përshtatshme për të arritur qëllimet dhe objektivat, e po ashtu edhe për identifikimin e mangësive në Stacionet Policore.

Para tri ditëve, KALLXO.com raportoi për njoftimin e Policisë së Kosovës se gjatë një inspektimi në Drejtorinë Rajonale Policore në veri të Mitrovicës, më saktësisht në stacionin policor në Zubin Potok, ishin hasur disa parregullsi.

Zyrtari policor përgjegjës për dhomën e dëshmive, shefi i hetimeve dhe komandanti i stacionit policor në Zubin Potok janë suspenduar për shkak të veprës penale – keqpërdorim i detyrës zyrtare.
Burime të KALLXO.com kanë treguar se më shumë se dhjetë armë- pushkë, disa materiale të tjera dhe disa dokumentacione janë ‘zhdukur’ nga dhomat e dëshmive.

Policia nuk kishte dhënë detaje në njoftimin e ditës së diel se çfarë parregullsish kishte hasur, duke theksuar se për detaje do të njoftoheshin mediat ditëve në vijim.

KALLXO.com gjithashtu ka mësuar se dëshmitë e zhdukura kanë qenë të konfiskuara në trazirat e marsit të vitit 2008 pak pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës.

Një muaj pasi Kosova shpalli pavarësinë e saj, disa protestues të veriut të Mitrovicës e kundërshtonin atë duke krijuar trazira, gjatë të cilave u vra një polic i UNMIK-ut.

Protestuesit serbë që kundërshtonin pavarësinë e Kosovës kishin hyrë brenda gjykatave dhe kishin zaptuar ato duke bërë thirrje për rezistencë, duke shkatërruar mjete të punës dhe ishin përleshur me Policinë.

Nga këto përleshje mes Policisë dhe protestuesve serbë një polic ndërkombëtar kishte mbetur i vrarë dhe dhjetëra të tjerë ishin lënduar e plagosur.

Çka u zhduk nga dhoma e dëshmive në stacionin e Policisë së Kosovës në Zubin Potok?