IPK fillon hetimin e rastit ku shihet policja duke e goditur të miturën

Hetuesit e Inspektoratit Policor të Kosovës janë nisur drejt stacionit policor në Vushtrri pas identifikimit të polices, e cila shihet në një video deri sa po ushtronte dhunë ndaj një vajze që duket se është e mitur.

Në një përgjigje për KALLXO.com, IPK ka thënë se kanë filluar menjëherë grumbullimin e informacioneve në lidhje me rastin.

“Inspektorati Policor i Kosovës pas publikimit të videos në fjalë ka filluar të grumbullojë informata lidhur me këtë rast. Veprimet tjera do të ndërmirren në përputhje me misionin ligjor të IPK-së”, ka thënë IPK për KALLXO.com.

Të dy zyrtarët policorë që shihen në videon janë identifikuar.

Dy pjesëtarë të Policisë së Kosovës gjatë ditës së sotme janë parë në afërsi të një shkolle në Vushtrri, ku një police prezente shihet duke e goditur një vajzë e cila sipas pamjes në video duket të jetë e mitur.

Në video e cila ka arritur në redaksi të Telegrafit shihet se polici tjetër vetëm qëndron duke e shikuar kolegen.

Nuk dihet se për çfarë arsye janë ndaluar vajzat, e as arsyeja e reagimit të tillë nga ana e pjesëtarëve të Policisë së Kosovës.

Policja godet një vajzë me shuplaka – VIDEO