IPK ende s'e ka pranuar raportin e plotë për eprorin policor që dyshohet se organizoi dasmë në kohë pandemie

Një epror policie në rajonin e Gjilanit mbrëmjen e së shtunës dyshohet se kishte organizuar një aheng familjar me rastin e martesës së djalit të tij në njërin nga restorantet e Gjilanit.

Ai madje ishte gjobitur nga inspektorët e Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë në lidhje me shkeljen e masave të COVID-19 dhe organizimit të ahengut familjar në kohë pandemie.

KALLXO.com ka kërkuar sqarime nga Inspektorati Policor i Kosovës në lidhje me veprimet e ndërmarra deri më tani për shefin e Operativës Rajonale në Gjilan, Nijazi Kolgeci.

IPK në përgjigjen drejtuar KALLXO.com ka thënë se kanë pranuar informacionet e para në lidhje me rastin por ende nuk kanë marrë raport të kompletuar nga Policia në lidhje me të njëjtin rast.

“IPK pritet që rastin e kompletuar ta pranojë nesër nga Policia përderisa veprimet e tjera do të ndërmirren në koordinim me prokurorinë kompetente dhe në përputhje me autorizimet ligjore të IPK-së”, thuhet në përgjigjen e këtyre të fundit.

Mbrëmjen e kaluar KALLXO.com raportoi se shefi i Operativës Rajonale në Gjilan, Nijazi Kolgeci ka organizuar një dasmë të shtunën në mbrëmje.

Vetë Kolgeci e kishte mohuar se kishte organizuar dasmë por këtë e demantoi drejtoresha e Policisë së Rajonit të Gjilanit, Elmina Mahmuti.

“Mbrëmë ka pasë aksion, ka qenë dasma e nënkolonelin në “Vali Ranch”, kanë ndërmarrë masat ndaj proarit edhe unë do t’i ndërmarr masat për në Inspektorat me ia bë landën”, ka thënë ajo për KALLXO.com.

“Po, kur më kanë thirrë mua më kanë njoftu që është dasma e nënkolonelit. Po, lënda do të dërgohet në Inspektorat Policor dhe në këto raste edhe për shkelje diciplinore”, ka paralajmeruar drejtoresha e forcave të rendit për rajonin e Gjilanit.

“Çka është kjo në ketë orë me më thirrë për këtë punë? A e dini se unë jam kolonel në Polici? Pse nuk më keni thirrë më herët për këtë punë? Nuk kam paur asnjë problem me AUV. As nuk kam pasur dasmë as s’kam feju as nuk ka lidhje kjo me mua, keni informacione të gabuara. Ku e keni marrë këtë informacion?”, ka thënë Kolgeci gjatë një bisede telefonike me KALLXO.com.

Ai madje përmendi se ai merr pjesë në mbylljen e lokaleve çdo natë për shkak të pandemisë.

“Në këtë kohë s’folet as për një temë. Unë punoj çdo natë, mbylli lokale këtë punë e bëj çdo ditë. Unë nuk kam pasur punë me këtë çështje”, vazhdoi tutje ai.