Zjarrfikësit. Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

IPK dhe Policia formojnë komision për zjarrin në zyrën e arkivit në Stacionin Policor në Drenas

Para tri ditëve, KALLXO.com raportoi se Zyra e arkivit në Stacionin Policor në Drenas është përfshirë nga zjarri.

Policia konfirmoi se kur ka ndodhur rasti, zyrtarët policor të cilët e kanë vërejtur tymin kanë përdorur aparatet për shuarjen e zjarrit dhe njëkohësisht në vendin e ngjarjes janë ftuar edhe zjarrfikësit.

Në lidhje me këtë rast, policia bëri të ditur se në vendin e ngjarjes janë ftuar edhe Inspektorati Policor i Kosovës.

Një ditë më vonë, Inspektorati Policor i Kosovës njoftoi se dy zyrtarë policor dhe një pjesëtar i stafit civil të Policisë së Kosovës janë suspenduar në lidhje me djegien e zyrës së arkivit të Stacionit Policor në Drenas.

“Bazuar në hetimet fillestare dyshohet se zjarri është shkaktuar nga pakujdesia. Inspektorati Policor i Kosovës ka rekomanduar suspendimin e tre punonjësve të Policisë së Kosovës (dy zyrtarë policor dhe një nga stafi civil i PK-së) lidhur me rastin e njëjtë. Rekomandimi për suspendim që është bërë në interes të procedurës hetimore me dyshimin se të njëjtit kanë kryer veprën penale të “shkaktim i rrezikut të përgjithshëm”, thuhet në përgjigjen e IPK-së.

Tutje IPK ka bërë të ditur se hetuesit janë duke zhvilluar ende hetime në lidhje me këtë rast.

“Aktualisht janë duke e inspektuar vendin e ngjarjes rreth dëmeve të shkaktuara nga zjarri, së bashku me komisionin i cili është krijuar nga Policia e Kosovës, gjithnjë në koordinim dhe sipas udhëzimeve të prokurorit të çështjes”, thuhet në përgjigjen e IPK-së.

KALLXO.com ka kërkuar përgjigje rreth dëmeve qe janë shkaktuar dhe nëse ndonjë dokument është djegur si pasojë e zjarrit por IPK nuk ka dhënë përgjigje më të detajuar.

 

Digjet zyra e arkivit në Stacionin Policor në Drenas