IPK deklarohet për rastin e shkëmbimit të zjarrit mes të dyshuarit dhe policisë në Fushë-Kosovë

Dy gra, nënë e bijë, u plagosen gjatë ditës së djeshme nga një burrë në Fushë Kosovë. Viktimat janë duke marrë tretman mjekësor në QKUK, përderisa personi i dyshuar gjatë shkëmbimit të zjarrit me Policinë e Kosovës dyshohet se ka qëlluar veten dhe ka vdekur.

Në raportin e sotëm policor është thënë se shkaqet janë ende të panjohura se për çka u qëlluan viktimat.

Për të njëjtin rast, në një përgjigje për KALLXO.com, Inspektorati Policor i Kosovës ka thënë se deri më tani nuk ka dyshime për ndonjë veprim të kundërligjshëm nga ana policëve.

IPK ka treguar se më të pranuar informacionin hetuesit e Inspektoratit kanë dalë në vendin e ngjarjes ku në koordinim me ekipet tjera reaguese policore dhe prokurorin kanë ndërmarrë disa veprime hetimore.

“Bazuar në këto veprime hetimore deri më tani nuk ka dyshime për ndonjë veprim të kundërligjshëm nga ana e zyrtarëve policorë” – thuhet në përgjigje.

Sipas kësaj përgjigje, informata për rastin e ndodhur në rrugën “Besa- Besë” në Fushë Kosovë, është pranuar nga IPK dje në orët e mbrëmjes.

IPK ka thënë se zyrtarët policor kishin pranuar informata për vendndodhjen e të dyshuarit, të cilin edhe e kishin urdhëruar që të dorëzohej.

Sipas Inspektoratit i njëjti dyshohet se kishte shtënë me armë në drejtim të zyrtarëve policorë dhe gjatë shkëmbimit të zjarrit me Policinë, ai dyshohet se ka qëlluar veten dhe kishte ndërruar jetë.

Tutje në përgjigje është thënë se hetuesit e IPK-së pritet të ndërmarrin edhe veprime tjera hetimore në koordinim me prokurorin kompetent për të ndriçuar të gjitha rrethanat lidhur me rastin.

KALLXO.com ka raportuar të shtunën në vazhdimësi për këtë rast.

Plagosja e dy grave në Fushë-Kosovë, ende nuk dihen shkaqet