
IPK deklarohet për pretendimet se dy persona janë rrahur nga Policia në Leposaviq
Inspektorati Policor i Kosovës për KALLXO.com ka konfirmuar se është njoftuar në lidhje me pretendimet se dy netë më parë dy të rinj nga fshati Jashanicë të Komunës së Leposaviqit, janë rrahur e maltretuar nga disa zyrtarë policorë.
Në përgjigje IPK ka thënë se tashmë kanë angazhuar hetuesit dhe kanë identifikuar ankuesit.
“Ata (ankuesit) janë intervistuar lidhur me pretendimet e tyre”- thuhet në përgjigjet e IPK për KALLXO.com.
Tutje të njëjtit kanë konfirmuar se në koordinim me Prokurorinë e Shtetit më konkretisht atë të Mitrovicës do të ndermerren edhe veprime të tjera hetimore për ta zbardhur rastin.
Policia gjatë ditës së sotme, përmes një reagimi lidhur me disa raportime se dy të rinj serb janë rrahur dhe keqtrajtuar nga Policia në një fshat të Leposaviqit ka sqaruar se rasti në fjalë është adresuar në Inspektoratin e Policisë së Kosovës.
“Policia e Kosovës menjëherë pas publikimit të këtyre informacioneve, me datë 08.03.2023 ka ndërmarrë të gjitha veprimet e menjëhershme konform autorizimeve ligjore, me qëllim të verifikimit dhe trajtimit të informacionit dhe deklarimeve të publikuara, të cilat kanë rezultuar se nuk ka ndonjë rast të raportuar apo evidentuar në institucionet kompetente”, thuhet në reagimin e Policisë.
Tutje policia ka bërë të ditur se “Bazuar në informacionet dhe verifikimet zyrtare me të gjitha njësitet policore në terren, përfshirë ato kufitare, është vërtetuar se një rast i tillë nuk është raportuar në Polici të Kosovës, informacion ky i cili iu është kumtuar mediave të interesuara kryesisht serbe”.
“Deklarimet dhe publikimet në fjalë, sipas kompetencës, Policia e Kosovës i ka adresuar te Inspektorati Policor i Kosovës për trajtim dhe kompetencë të mëtejme”, thuhet në reagimin e Policisë.
Në anën tjetër, Dragosh Miçeviq, babai i njërit prej të sulmuarve gjatë një debati publik me Avokatin e Popullit në Leposaviq, ka deklaruar se para dy netësh i është rrahur djali dhe komshiu i tij.
“Para dy netëve (e martë) kanë rrahur djalin tim dhe komshiun tim. Sa e di unë e drejta policisë është që kur të ndaloj dikë t’i kërkoj mjetet e identifikimit dhe jo të nxirret me dhunë nga vetura dhe të hidhet në asfalt”, ka thënë ai.
“Nuk e di si do të ndiheni ju nëse ju kishte ndodhur ngjashëm. Kjo nuk është hera e parë që ka ndodhur në fshatin tim Jashanicë. Nëse ju nuk e ndaloni çka po ndodh atëherë asnjë e mirë nuk do të ndodhë ky nuk është qëndrimi im është qëndrimi i gjithë fshatit tim”, tha ai.
Avokati i Popullit, Naim Qelaj duke u përgjigjur në çështjen e ngritur nga ky qytetar tha se çdo tejkalim i autorizimeve ligjore paraqet shkelje të të drejtave të njeriut.
“Për çështjet e sigurisë për ushtrimin e forcës nga policia që u ngritën këtu, ajo çka unë deklaroj sot është që çdo tejkalim i autorizimeve vlerësoj që është në kundërshtim me ligjin, keqtrajtim apo çfarëdo forme tjetër për mua është shkelje e të drejtave të njeriut”, tha Avokati i Popullit Qelaj.
Ndërkohë Zyra për Kosovë në qeverinë e Serbisë, njoftoi se rrahja e të rinjve serbë Dorde M. (24) dhe Lazar Đ. (23) në Joshanica afër Leposaviç është një pasqyrë e vërtetë e realitetit në të cilin populli serb është i detyruar të jetojë në Kosovë.
“Këta djem kanë qenë mbrëmë subjekt i torturës së ushtruar pa arsye nga anëtarët e policisë speciale ROSU dhe gjëja më e tmerrshme është se përdorimi i tepruar i forcës dhe zbatimi i torturës policore nuk është një incident i thjeshtë, por një urdhër i drejtpërdrejtë i autoriteteve në Prishtinë për të maltretuar dhe frikësuar serbët në çdo hap”, thuhet në deklaratë.
Policia del me sqarim rreth raportimeve për rrahjen e dy personave në një fshat të Leposaviqit