IPK arrestoi një zyrtar policor të dyshuar për “marrje ryshfeti”

Inspektorati Policor i Kosovës (IPK) ka arrestuar në flagrancë një zyrtar policor me dyshimin se i njëjti ka kryer veprën penale “marrje të ryshfetit”.

Hetimi për këtë rast kishte filluar ditë më herët bazuar në informacionet e siguruara përmes rrugëve operative hetimore.

Hetuesit e IPK-së në koordinim të plotë edhe me Prokurorinë Themelore të Pejës në këtë rast kanë përdorur edhe masat e fshehta të hetimit dhe vëzhgimit.

“Zyrtarit të arrestuar, i cili ka qenë i angazhuar në policinë kufitare (stacioni policor kufitar i Qafë Prushit) me vendim të prokurorit i është caktuar masa e ndalimit për 48 orë”, thuhet në njoftimin e IPK-së.

Hetuesit e IPK-së pritet të ndërmarrin edhe veprime të tjera hetimore lidhur me këtë rast në konsultim dhe koordinim të vazhdueshëm me prokurorin përgjegjës.