Foto: KALLXO.com

IPK: Arrestohet edhe një i dyshuar lidhur me rastin e vrasjes në Ferizaj

Inspektorati Policor i Kosovës (IPK) ka njoftuar se është arrestuar edhe një i dyshuar për rastin e vrasjes së rëndë në fshatin Bibaj të Ferizajt që ndodhi mbrëmjen e datës 16.08.2024.

Ky njoftim i IPK-së vjen pas njoftimit të parë lidhur me policin e dyshuar se kreu vrasjen në Bibaj, për të cilin thanë se është vetëdorëzuar në stacionin e Policisë në Ferizaj bashkë me armën që dyshohet se është përdorur në këtë rast.

Ndërsa, për të arrestuarin e dytë për këtë rast, sipas IPK-së, atij i është caktuar ndalimi 48-orësh me vendim të prokurorit nën dyshimin për bashkëkryerje të veprës penale – vrasje e rëndë.

“Të dyshuarit të arrestuar me vendim të prokurorit i është caktuar masa e ndalimit për 48 orë për shkak të dyshimit të për bashkëkryerje të veprës penale “Vrasja e rëndë” sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës” – thuhet në njoftimin e IPK-së, më 16.08.2024.

S. Sadriu u vra më 16.08.2024 në parkingun e një salle dasmash në fshatin Bibaj të Ferizajt.

Ngjarja dyshohet se u krye në rrugën kryesore pak metra larg objektit ku viktima do të merrte pjesë në një aheng familjar. 

Ai u qëllua me armë zjarri të gjatë e zyrtare e i dyshuar për këtë rast, tashmë i arrestuar, është zyrtari policor F. Ramadani. 

Zëvendësdrejtori i Policisë së Rajonit të Ferizajt, Qazim Reka, tha se nuk dihen motivet e vrasjes.

Ai tregoi se polici ishte jashtë detyrës zyrtare, me rroba e veturë civile, por se e përdori armën e tij të punës, një armë të gjatë, për të kryer vrasjen. 

Prokuroria e Ferizajt lëshoi urdhrin për ndalim prej 48 orësh për zyrtarin policor të dyshuar, ndërsa ekipet e Inspektoratit Policor të Kosovës u panë edhe në vendin e ngjarjes. 

Në vendin e ngjarjes ekipet e Forenzikës mblodhën prova e Instituti i Mjekësisë Ligjore tërhoqi trupin nga vendi ku u krye vrasja. 

Dhjetëra dasmorë që ishin ftuar në aheng u panë jashtë objektit të restorantit. Disa prej tyre edhe do të intervistohen për të sqaruar rrethanat që çuan deri te vrasja që ndodhi në orët e mbrëmjes të datës 16.08.2024.

Shiritat e policisë, tre të tillë rrethuan një perimetër të gjërë e ato u larguan pak pas orës 22:00 dhe u liruan automjetet që ishin bllokuar për shkak të sigurisë.

E disa zyrtarë policorë mbetën ende aty për të marrë dëshmi të tjera nga rasti që u shënua.