Ipeshkvi i Kosovës uron myslimanët: Këtë muaj kemi pasur edhe Pashkë edhe Bajram

Ipeshkvi i Kosovës Dodë Gjergji ka shkuar për vizitë në Bashkësinë Islame të Kosovës për të uruar të gjithë besimtarët myslimanë për festën e Fitër Bajramit.

Ai tha se shqiptarët këtë muaj kanë pasur edhe Pashkë, edhe Bajram, duke shtuar se të gjithë populli duhet të jetojnë në mirëkuptim e unitet.

“Jam i kënaqur që jam këtu për të uruar kryemyftiun Tërnava për t’i uruar festën e Bajramit e së bashku edhe të gjithë besimtarëve të besimit islam. Këtë muaj kemi agjëruar të gjithë sepse kemi pasur edhe festën e Pashkëve, edhe festën e Bajramit kështu që besoj të gjithë populli është me uratë, me lutje dhe me agjërim dhe të kemi mundësi të jetojmë në paqe, dashuri, mirëkuptim, në pajtim, në falje dhe në unitet siç ka thënë myftiu Tërnava në fjalën e tij të Bajramit”- deklaroi Gjergji.

Bashkësia Islame e Kosovës ka hapur dyert për të pritur mysafirë, pas ceremonisë së faljes së Fitër Bajramit.