Inxhinieri shqiptar, Hajdar Thaçi, Foto: KALLXO.com

Inxhinieri shqiptar: Ligjet e ndërtimit duhet të shikohen që në projektim (VIDEO)

Inxhinieri shqiptar, Hajdar Thaçi ka thënë se tërmeti që la të vdekur 49 persona dhe mbi 500 të tjerë të plagosur, duhet të jetë një mësim për shqiptarët dhe që ligjet e ndërtimit duhet të rishikohen që në projektim të objekteve

“…Problemi qëndron që duhet të punohet nëpërmjet projekteve konstruktive, nëpërmjet projekteve të arkitekturës, nëpërmjet projekteve të studimit gjeologjik, sizmik, etj”, ka thënë Thaçi për KALLXO.com.

Inxhinieri Thaçi ka deklaruar se lejohet të ndërtohet një objekt 5 katësh në zonën e plazhit.

“Lejohet të ndërtohet. Normalisht që ligjet shqiptare e përcaktojnë ekzakt se si ndërtohet dhe janë shumë objekte që janë ndërtuar mbi bazat e parametrave”, ka thënë ai.

Po ashtu, Thaçi ka rrëfyer se kohët e fundit ka pasur një korrektësi në dhënien e lejeve të ndërtimit në Shqipëri.

“Kohët e fundit në raport me lejet e ndërtimit ka pasur një korrektësi, zbatueshmëria ligjore ka qenë më e mirë”, ka shpjeguar Thaçi.

Thaçi për KALLXO.com ka folur edhe për ndihmën që po iu ofrohet familjeve që janë prekur nga tërmeti, të cilat kanë mbetur pa strehim. Ai ka përmendur disa emra në Kosovë që janë duke ofruar strehim.

“Po e them publikisht që Bashkim Martinaj nga Prizreni është një nipi imi, ka një hotel dhe e vë në dispozicion të të plagosurve, të pastrehëve, të atyre që jetojnë në çadër dhe më ka telefonu dhe më ka thënë shprehimisht që unë bashkë me stafin e hotelerisë janë në dispozicion të këtyre njerëzve që kanë humb gjithçka. Bali Martini më ka telefonuar nga Kroacia, Ismet Mahmutaj më ka telefonu nga Istogu, Bashkim Kajdomçaj nga Prizreni, nga Arbana, më kanë telefonu dhe kanë shprehur gadishmërinë për t’i ndihmuar këta lloj njerëzish”, ka potencuar Thaçi.

Përveç ndihmës së ofruar nga shqiptarët e Kosovës, Thaçi ka përmendur edhe ata që janë duke ofruar ndihmë në Shqipëri.

“Për në Shqipëri, unë kam ndërtuar një hotel në kilometrin e 5 të autostradës Durrës Tiranë, ndodhet buzë autostradës, ata janë ca quna të shkëlqyer që kanë shpreh vullnetin që ta vënë në dispozicion hotelin për të pastrehët, për njerëzit e dëmtuar nga tërmeti për të gjitha çka kanë mundësi”, ka përfunduar Thaçi.

Shqipëria të martën është prekur nga një tërmet me magnitudë 6.4 të shkallës Rihter, si pasojë e të cilit kanë mbetur të vdekur 49 persona dhe mbi 500 të tjerë të plagosur. Ky tërmet ka lënë pa strehim mbi 500 familje të cilat janë akomoduar nëpër tenda, hotele, e shtëpi të tjera në Shqipëri e Kosovë.

Operacioni i kërkim-shpëtimit është duke vazhduar edhe sot për persona të tjerë që dyshohet që janë zënë nën gërmadha.

Zonat më të prekura nga tërmeti janë ajo e Durrësit, Thumanës dhe Laçit. Kurse rrezja e tërmetit ka prekur më pak Tiranën dhe Kavajën.