Inxhinieri i KOSTT-it hyn në grevë urie, thotë se po diskriminohet

Inxhinieri i ndërmarrjes publike KOSTT, Seladin Izmaku, thotë se ka hyrë në grevë urie që nga mëngjesi i sotëm.

Izmaku në një përgjigje për KALLXO.com thotë se vendimi i tij ka ardhur për shkak të pabarazisë dhe diskriminimit që pretendon se po i bëhet në këtë kompani.

“Sot prej orës 10:00 kam hyrë në grevë urie këtu në ndërtesën e KOSTT-it, arsyeja është diskriminimi dhe pabarazia ku punoj unë. Diskriminimi fillon që nga kategorizimi i pagave në Ligjin e Pagave ku neve inxhinierëve nuk na kanë dhënë vendin meritor”, tha ai.

Ai shton se njëra nga kërkesat e tij të vazhdueshme është që kryeshefi ekzekutiv, Ilir Shala të shkarkohet.

‘Kërkesa e mia janë shkarkimi i kryeshefit ekzekutiv dhe me shpall të pavlefshme kategorizimin që e ka bërë kompania e me formu një komision të ri dhe profesional”, tha Izmaku.

Ndërkaq, ai siguroi që të pakënaqur janë edhe shumë punëtorë të tjerë të kompanisë.

Lidhur me ketë çështje, KALLXO.com i ka dërguar sot pyetje zëdhënëses së KOSTT-it, Zana Rama por deri në publikimin e këtij artikulli nuk është përgjigjur.

Kujtojmë se punëtorët e KOSTT-it vazhdimisht kanë kundërshtuar Ligjin e Pagave.

 

Punëtorët e KEK-ut dhe KOSTT-it protestojnë para Qeverisë