Investimet e Zvicrës në Kosovë i mundësuan qasje në ujë të pijshëm mbi 600 mijë qytetarëve

Ambasada e Zvicrës në Kosovë ka njoftuar se angazhimi i Zvicrës në sektorin e ujërave ka kontribuar që 92% e popullsisë së Kosovës të kenë tashmë qasje në ujë të pijshëm, të sigurtë dhe të pastër.

“Angazhimi i vazhdueshëm dhe roli udhëheqës i Zvicrës në sektorin e ujërave ka kontribuar që 92% e popullsisë së Kosovës të kenë tashmë qasje në ujë të pijshëm të sigurt dhe të pastër”, njofton ambasada.

Sipas njoftimit, mbi 600 mijë qytetarëve të Kosovës që banojnë në zonat rurale, u është mundësuar të kenë qasje në ujë të pijshëm.

“Mbështetja e Zvicrës u ka mundësuar mbi 600,000 qytetarëve të Kosovës që banojnë në zonat rurale, ose një të tretës së popullsisë së Kosovës, të kenë qasje në ujë të pijshëm të sigurtë dhe të pastër”, thuhet në njoftim.

Në komunikatën e Ambasadës së Zvicrës në Kosovë është bërë e ditur se reformat e sektorit të ujërave, do të mbeten prioritet i rëndësishëm i Zvicrës në Kosovë si dhe mbështetja e tyre do të fokusohet në menaxhimin e burimeve ujore.

“Reformat e sektorit të ujërave do të mbeten prioritet i rëndësishëm për Zvicrën në Kosovë. Mbështetja aktuale dhe e ardhshme e Zvicrës do të fokusohet në menaxhimin e burimeve ujore nga autoritetet përkatëse. Ajo do të mbështetet edhe në punën e mëparshme që ka synuar rritjen e reziliencës ndaj ndryshimeve klimatike”, njofton ambasada.

Ish-ambasadori i Zvicrës në Kosovoës Jean-Hubert Lebet gjatë përurimit të ujësjellësit në disa fshatra të Skenderajt kishte thënë që nuk është normale që Zvicra të investoj në rregullimin e problemit të ujit të pijshëm, derisa qeveria e Kosovës të paguante për veteranët e rrejshëm.

““Nuk është normale që qeveria e Zvicrës të financojë ujësjellësin këtu, sepse e dimë që ekzistojnë të holla edhe në këtë vend. E dimë se vlera e këtij projekti është përafërsisht 2.5 përqind e vlerës për veteranët e luftës. Por, veteranët e vërtetë të cilët kanë luftuar për lirinë e këtij vendi. Nuk jemi të lumtur të shohim nëse njerëzit marrin këtë status pa ndonjë të drejtë”, kishte thënë ish-ambasadori Jean-Hubert Lebet.

Ambasadori i Zvicrës: Nuk është normale ne ta financojmë ujësjellësin, e ju t’i financoni veteranët e rrejshëm