Arian Agushi 'Gold Ag', Foto: Facebook

Intervistohet nga policia këngëtari Gold Ag

Policia e Kosovës ka intervistuar këngëtarin Arian Agushi, i njohur si ‘Gold Ag’.

Ai po dyshohet për nxitje të përçarjes dhe mosdurimit në këngën e tij të fundit që ia ka kushtuar deklaratave të ish-këshilltarit të kryeministrit, Shkelzen Gashi lidhur me krimet e luftës në Kosovë.

Lajmin për KALLXO.com e ka konfirmuar edhe Zëdhënësja e Policisë së Rajonit të Prishtinës, Florie Ahmeti- Haziraj.

“Sot në koordinim me Prokurorinë Themelore në Prishtinë, është iniciuar rast nxitja e përqarjes dhe mosdurimit. Lidhur me këtë rast është intervistuar viktima dhe po ashtu edhe i dyshuari. I dyshuari pas intervistimit me vendim të prokurorit  është liruar, rasti shkon në procedurë të rregullt”, ka thënë Haziri- Ahmetaj.

Arian Agushi, gjatë ditës së djeshme ka publikuar një këngë në të cilën ka përmendur edhe fjalën tradhëtar duke iu drejtuar Shkelzen Gashit , ish- këshilltar i Kryeministrit Albin Kurti i liruar nga detyra pas disa deklaratave të dhëna se komandantë të zonave të UÇK-së kanë kryer krime gjatë luftës në Kosovë duke vrarë serb të pafajshëm.

Gold Ag në këngën e tij të re “Shkronjat e Arta” , shihet deri sa është i ulur pranë varrit të dëshmorit Beg Rizaj e vazhdon vargjet e këngës duke thënë se ‘ A po e sheh që ka tradhëtar që quhet Shkelzen”.

“Kush e shkel gjakun zoti ftyrën ua marroftë,  bashkonu ndanu, morë bonu qysh doni por me gjak e familje të dëshmorëve mos luni”, ëshë një pjesë tjetër e Gold Ag të cilën e ka vazhduar në këngë e tij të fundit.

“Kujtoj tri shkronja që na pruni festën, kujtoj torturat, masakrat, protestën, e mos thuni UÇK ka bërë krime nëpër ‘serb’ sepse kemi luftuar në Kosovë e jo midis Serbie”, janë disa nga vargjet të cilat janë dedikuar deklaratave të Shkelzen Gashit të dhëna ditë më parë.

Kjo nuk është hera e parë që Gold Ag intervistohet nga policia për nxitje.

Probleme me ligjin ka pasur edhe këngëtari tjetër nga Lugina e Preshevës, Arian Agushi ose i njohur për publikun si Gold AG.

Ai u padit nga ish-deputetja Alma Lama, tani Ambasadore e Kosovës në Itali, pasi sipas kësaj të fundit ishte përdorur gjuhë e urrejtjes dhe fyerjes në një këngë të këngëtarit.