Intervistohen katër të dyshuar për keqpërdorim në pasurinë dhe interesat e FFK-së

Policia e Kosovës ka njoftuar se në vazhdën e hetimeve të zhvilluara në Federatën e Futbollit të Kosovës (FFK), sot kanë intervistuar katër persona.

Intervistimi i tyre është bërë nën dyshimet për zhvatje, respektivisht keqpërdorim në pasurin dhe interesat e FFK-së.

Katër të intervistuarit, që më pas me vendim të prokurorit u liruan në procedurë të rregullt, dyshohet se kanë keqpërdor autorizimet e tyre me qellim që personit të huaj t`i sjellin dobi pasurore të kundërligjshme duke lejuar pagesën e faturës për blerjen e një veture.

“Si rezultat i hetimeve të realizuara nga Njësiti Rajonal për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit-Prishtinë, dyshohet se vetura e lartcekur në mënyrë të kundërligjshme është përvetësuar dhe regjistruar në emër të personit privat në FKK, andaj e njëjta është sekuestruar” – thuhet në njoftimin e Policisë.

Për katër të intervistuarit, mbi bazën e këtyre veprimeve është krijuar dyshimi se kanë kryer veprat penale “Keqpërdorim i besimit” dhe “Shmangia nga tatimi”.

Këto veprime hetimore janë kryer nga Drejtoria për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit në Policinë e Kosovës në bashkëpunim me Prokurorinë Themelore në Prishtinë.

Para disa ditësh, më 23 mars 2023, Agim Ademit, kryetarit të FFK-së, Gjykata ia ka caktuar masën e arrestit shtëpiak. Masa e arrestit shtëpiak për Ademin është caktuar në kohëzgjatje prej një muaji.

Një ditë para, Ademi ishte ndaluar nga organet e drejtësisë për 48 orë. Menjëherë pas njoftimit, ka reaguar FFK nëpërmjet një konference për media.

Taulant Hoda, ushtrues detyre i sekretarit të FFK-së tha se do të bashkëpunojnë me drejtësinë.

“Ne jemi për zbatim të ligjit por mendojmë që momenti dhe mënyra se si janë ballafaquar lojtarët dhe stafi, kjo ka qenë një goditje për kombëtaren. Assesi nuk jemi kundër drejtësisë” – kishte thënë ai.

Sipas njoftimit të Prokurorisë Ademi ishte ndaluar për shkak të dyshimit të kryerjes së veprave penale “Keqpërdorimi i besimit” dhe “Shmangie nga tatimi”.