Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Intervistohen kandidatët për anëtarë të bordit të RTK-së, rekomandohen katër emra për Kuvend

Komisioni Ad-hoc për përzgjedhjen e dy kandidatëve për anëtarë të bordit të Radio Televizionit të Kosovës, një nga komuniteti shqiptar dhe një nga komuniteti serb ka zhvilluar sot procesin e intervistimit të kandidatëve.

Dardan Berisha dhe Besnik Aliu janë emrat e dy kandidatëve të cilët do të shkojnë për votim në Kuvendin e Kosovës, për pozitën e anëtarit nga komuniteti shqiptar në bordin e RTK-së.

Për pozitën e një anëtari nga komuniteti shqiptar, u intervistuan katër kandidatë ndërsa u njoftua se njëri kandidat nuk është paraqitur për intervistë, një kandidat tjetër ishte tërhequr nga gara dhe një kandidat nuk kishte kompletuar dokumentacionin.

Ndërkaq për pozitën e anëtarit nga radhët e komunitetit serb u intervistuan pesë kandidatë.

Radojica Mrdijinac dhe Dragan Stankoviq u renditën si kandidatët më të poentuar duke u rekomanduar në Kuvendin e Kosovës për votim.

Komisioni Ad-hoc për përzgjedhjen e kandidatëve për këto dy pozita ishte në përbërje të Eliza Hoxhës nga PDK në cilësinë e kryetares, Fitim Hazirit nga LVV (nënkryetar), Fidan Jilta nga Grupi Multietnik, Besim Muzaqi, Valon Ramdani, Time Kadrijaj, Njazi Isaku, Arbreshë Kryeziu, Agim Veliu dhe Isak Shabani ndërsa anëtari tjetër i përzgjedhur nga Kuvendi për këtë komision, Armend Zemaj nuk ishte

Vlerësimi i kandidatëve

Besnik Aliu, Abedin Balaj, Petrit Çollaku, Dardan Berisha, kandidatë për pozitën e anëtarit nga komuniteti shqiptar për bordin e RTK-së dhe Dragan Stankoviq, Marijana Simiq, Nelice Velikoviq, Radojica Mrdijinac dhe Jovana Filipoviq, kandidatë për pozitën e një anëtari nga komuniteti serb iu nënshtruan sot procesit të intervisitimit nga Komisioni Ad-hoc.

Të njëjtit më pas janë vlerësuar nga Komisioni Ad-hoc. Në fillim të mbledhjes, komisioni me shumicë votash vendosi që votimi sipas tyre të jetë i hapur duke nënkuptuar që të lexohet vlerësimi total nga secili deputet për kandidatin përkatës.

Rrjeti Ballkanik i Gazetarisë Hulumtuese, BIRN e ka monitoruar këtë proces. Vlerësimi i kandidatëve nga deputetët është lexuar në fund të mbledhjes, pas përfundimit të procesit të intervistimit të kandidatëve.

Gjatë leximit të vlerësimit në sallë janë kumtuar vetëm pikët finale të deputetëve për kandidatët dhe jo veç e veç për rubrikat në formularin e vlerësimit.

Standardi i BDO-së, kompanisë së angazhuar nga Ambasada britanike për asistim në procese të rekrutimit është që anëtarët e Komisionit vlerësues i bëjnë publike pikët e dhëna për secilën përgjigje të kandidatëve. Përveç kësaj, në rastet kur ka dallime të mëdha në poentim, anëtarët e Komisionit Vlerësues japin arsyetime për secilin poentim të bërë.

Procesi i kaluar për pozitën e një anëtari nga komunitetit shqiptar ishte kritikuar për mostransparencë gjatë poentimit. Komisioni në atë kohë me shumicë votash kishte votuar për mbyllje e komisionit për monitorim në fazën e poentimit.

Sipas praktikës, Komisioni ad-hoc mblidhet disa minuta më herët para fillimit të procesit të intervistimit, për të përpiluar pyetjet që do t’u bëhen kandidatëve.

Në këtë proces, sot jo të gjithë deputetët, anëtarë të Komisionit kanë marrë pjesë në përpilimin e pesë pyetjeve që u bënë kandidatëve për dy pozitat në bordin e RTK-së.

Përpilimi i pyetjeve ka filluar para se të mblidhen të gjithë deputetët në sallë. Ata që munguan në fillim më pas iu kanë bashkuar Komisionit ad-hoc.

Konkursi i parë për bordin e RTK-së ishte zhvilluar në bazë të praktikave të britanikëve, pasi anëtarët e Komisionit vendosën numrin e pikëve për secilin kandidat dhe të njëjtat i bën publike dhe njëkohësisht u arsyetuan nga secili deputet.

4 muaj pasi u votua nga Kuvendi i Kosovës, në mars të vitit 2022, Bekim Sele kishte dhënë dorëheqje nga pozita e anëtarit të bordit të Radiotelevizionit të Kosovës.

Në nëntor të vitit të kaluar anëtari i bordit të Radiotelevizionit të Kosovës nga radhët e komuniteti serb, Ivan Radulovic kishte dhënë dorëheqje.

Bordi i Radiotelevizionit të Kosovës aktualisht ka 8 anëtar. Sipas ligjit për RTK-në, bordi duhet të ketë 11 anëtarë nga të cilët së paku dy anëtarë nga komuniteti serb dhe një anëtar emërohet nga komunitetet tjera jo shumicë.