Nga protestat për Astrit Deharin në nëntor 2016 | Foto: Atdhe Mulla

Intervistohen dëshmitarë për rastin e vdekjes së Astrit Deharit

Vdekja e mistershme e ish- anëtarit të Lëvizjes Vetëvendosje, Astrit Deharit ende nuk është zbardhur ndërsa Prokuroria Speciale ka filluar sërish intervistimin e dëshmitarëve.

Lajmin për KALLXO.com e ka konfirmuar Ushtruesi i Detyrës së Kryeprokurorit të Prokurorisë Speciale, Afrim Shefkiu.

“Janë duke u intervistuar dëshmitarë, disa janë të rinj dhe disa nga intervistat janë kryer javën e kaluar”, tha shkurt ai.

Ai nuk dha detaje nëse është intervistuar ndonjë person i dyshuar.

Astrit Dehari, ishte gjetur i vdekur në Qendrën e Paraburgimit në Prizren në fillim të nëntorit të vitit 2016.

Ai po mbahej në paraburgim në lidhje me dyshimet për sulmin i cili kishte ndodhur në gusht të vitit 2016, ndaj Kuvendit të Kosovës.

Tre muaj pas këtij sulmi në qendrën e Paraburgimit në Prizren, në rrethana të paqarta kishte vdekur 26 vjeçari Astrit Dehari.

Deklaratat e para pas vdekjes së Deharit ishin se i njëjti kishte përdorur medikamente dhe kishte vrarë veten, ndërsa më pas deklaratat ndryshuan në atë se i njëjti kishte probleme me frymëmarrje.

Dy vjet më pas, vdekja e Deharit ende ka mbetur mister edhe pse në fillim dolën disa versione se Astrit Dehari i kishte marrë jetën vetes.

Prindërit e Deharit së bashku me subjektin politik të cilës i takonte djali i tyre Astriti, kanë ngritur gjatë gjithë kohës pikëpyetje duke e drejtuar gishtin pushtetit, madje duke e quajtur vdekjen e Astritit edhe si vrasje.

Për t`i qartësuar rrethanat e vdekjes së Astritit, prindërit dhe avokati Tomë Gashi kërkuan ekspertizë nga Instituti i Qendrës Universitare të Mjekësisë Ligjore në Lozanë të Zvicrës.

Ky institut pas analizimit të të gjitha provave dhe pas pranimit të dosjeve me dëshmi e deklarata për vdekjen e Astrit Deharit, në raportin e dërguar në Kosovë në muajin tetor, nuk ka përjashtuar mundësinë që Astrit Dehari të jetë vrarë.

Rasti Dehari: Analiza e Zvicrës nuk përjashton vrasjen

Dyshime se dosja e Astrit Deharit është falsifikuar (Dokument)

Rasti Dehari: Analiza e Zvicrës nuk përjashton vrasjen