
Intervistimi i Kurtit nga Prokuroria Speciale: Javën tjetër thirrja e fundit, nëse s'i përgjigjet do të kërkohet sjellja me forcë
Prokuroria Speciale ka dërguar një ftesë të dytë në adresë të kryeministrit Albin Kurti për intervistim në cilësinë e dëshmitarit në rastin e rezervave shtetërore, por kryeministri ka ritheksuar gatishmërinë që prokurorët t’i pres në zyrën e tij.
Burime brenda Prokurorisë Speciale i kanë thënë KALLXO.com se formën e kërkuar nga kryeministri për intervistim nuk e zbatojnë pasi veprimet e tyre ndërmerren në objekt të prokurorisë.
“Për thirrjen e parë ka pasë arsyetim që është në udhëtim jashtë vendit, të njëjtën ditë normalisht e kemi procedu një thirrje të dytë apo thirrje e përsëritur, thirrja ka qenë prej të nesërmes, prej 17 deri më të 20, d.m.th katër ditë prej orës 9:30-16:00, varësisht kur ai gjen kohë, prapë sot kemi marrë përgjigje që për sot mundeni me ardhe tek ne, po ne atë formë nuk e zbatojmë se në parim veprimet ndërmerren në objekt të prokurorisë”- kanë thënë burimet brenda Prokurorisë Speciale për KALLXO.com.
Sipas burimeve të KALLXO.com, Prokuroria Speciale do ta përsëris thirrjen për herë të tretë, të fundit javën që vjen dhe nëse kryeministri nuk i përgjigjet, do të kërkojë nga gjykata një urdhër për ta sjellë atë me forcë në prokurori.
“Javën tjetër do t’ia përsërisim edhe një thirrje, besoj do të jetë e fundit edhe tani janë procedurat përmes gjykatës me lëshu urdhër për me sjellë me forcë, sepse nuk mundemi me prit pa fund sepse është dëshmitar” – kanë thënë burimet brenda prokurorisë për KALLXO.com.
Më 20.12.2024, zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Përparim Kryeziu i ka thënë KALLXO.com se ia kanë ritheksuar Prokurorisë Speciale gatishmërinë e kryeministrit që t’i mirëpresë prokurorët në zyrën e tij për intervistim, duke i propozuar tri orë intevistim, pas pranimit të thirrjes së dytë.
“Prokuroria Speciale ka përcjellë një ftesë të dytë, në adresë të kryeministrit Kurti për intervistim në cilësinë e dëshmitarit. Për këtë, kemi propozuar tri orare të takimit. Një për sot dhe dy orare tjera për javën tjetër”- ka konfirmuar për KALLXO.com, zëdhënësi i Kryeziu.
Kryeministri Kurti është thirrur për tu intervistuar nga prokuroria si dëshmitar në lëndën “PPS.nr.62/2023”, në një rast që ka të bëjë me veprën penale “keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”. Numri i lëndës që gjendet në thirrjen dërguar Kryeministrit të publikuar nga Kryeziu – përputhet me atë të rastit tR.
Prokuroria Speciale dërgon ftesën e dytë për Kurtin, Qeveria ia propozon tri orare të takimit
Më 11.12.2024 ishte bërë e ditur që kryeministri Kurti ishte ftuar për të dëshmuar nga Prokuroria Speciale më 16.12.2024.
Ndonëse ftesa e Prokurorisë Speciale ka qenë që kryeministri Albin Kurti të paraqitet për intervistim si dëshmitar më 16.12.2024, në ora 09:30, një gjë e tillë nuk ka ndodhur.
Zëdhënësja e Prokurorisë, Liridona Kozmaqi, në një deklarim para mediave ka thënë se është informuar nga Kabineti i Kurtit se Kryeministri gjendet në udhëtim jashtë vendit.
“Sot nga Kabineti i Kryeministrit Kurti, Prokuroria Speciale është informuar se Kryeministri Kurti gjendet në udhëtim jashtë vendit dhe e ka të pamundur të paraqitet sot. Prokuroria Speciale konform legjislacionit në fuqi do ta përgatisë një ftesë tjetër për Kryeministrin Kurti për një datë tjetër” – ka thënë Kozmaqi.
Në të njëjtën ditë, zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Përparim Kryeziu, ka thënë se kryeministri Albin Kurti është i gatshëm t’i presë prokurorët e rastit në zyrën e tij – në një ditë dhe orë të dakorduar nga të dy palët.
Në një përgjigje për KALLXO.com, Kryeziu ka thënë se Kurti ka shprehur gatishmërinë t’i mirëpresë prokurorët.
“Prokuroria Speciale, përkatësisht prokurorët e rastit janë njoftuar se për shkak që Kryeministri është jashtë vendit me agjendë të konfirmuar kohë më parë, ai nuk mund të jetë i pranishëm sot sipas ftesës së Prokurorisë. Megjithëkëtë, Kryeministri Kurti ka shprehur gatishmërinë t’i mirëpresë Prokurorët e rastit në zyrën e tij, në një ditë dhe orë të dakorduar nga të dy palët – për të përmbushur kërkesën e dalë nga ftesa e Prokurorisë.” – ka thënë Kryeziu.
Rasti i rezervave shtetërore
Të pandehur rastin e rezervave shtetërore janë Irfan Lipovica, Hafiz Gara dhe Ridvan Muharremi.
Lipovica dhe Gara dyshohen për veprën penale – keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar, ndërsa Ridvan Muharremi për veprën penale – dhënia e ndihmës në kryerje të veprës penale të keqpërdorimit të detyrës apo autoritetit zyrtar.
Dy zyrtarë të Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Irfan Lipovica dhe Hafiz Gara, bashkë me afaristin Ridvan Muharremi, ishin arrestuar më 18.08.2023 nën dyshimin për veprat – keqpërdorim i detyrës zyrtare, si dhe – dhënie të ndihmës në kryerjen e veprës penale të keqpërdorimit të detyrës zyrtare.
Ridvan Muharremi, Irfan Lipovica dhe Hafiz Gara, ishin liruar nga masa e paraburgimit me vendimin e Apelit më 31.08.2023 pasi të njëjtit gjendeshin nën këtë masë nga 19.08.2023.
Si e dyshuar lidhur me keqpërdorimet e rezervave shtetërore është intervistuar edhe ministrja aktuale e Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë, Rozeta Hajdari më 15.04.2024.
Çfarë thotë dosja e Prokurorisë për Ridvan Muharremin?
Dosja e Prokurorisë për Ridvan Muharremin thotë si ai në periudhën kohore nga muaji shkurt 2022 e në vazhdimësi, me dashje dhe me qëllim të krijimit të kushteve dhe mundësive për realizimin e veprimeve inkriminuese për të pandehurit Irfan Lipovica dhe Hafiz Gara i ka ndihmuar ata, duke i krijuar kushtet, propozuar dhe siguruar fillimisht për negocim për fumizim me rezerva shtetërore.
Prokuroria ka thënë në dosje se janë propozuar O. E. “Yafe Turizm Insaat Sanayi ve Ticaret Anonim Sirketi” me seli në Bursa të Turqisë për furnizim me grurë dhe “Xanto SP” ZO.O. In, me seli në Gdynia, Poloni për furnizim me vaj luledielli dhe sheqer, e më pas përmes përfshirjes pa autorizim në procesin e negocimit në mes të pandehurve Irfan Lipovica dhe Hafiz Gara me O. E. ka luajtur rol kyç në negocimin e kushteve të kontratave.
Dosja e Prokurorisë: Lipovica me dijeni të plotë ka lejuar që të anashkalohet procedura e hapur e prokurimit
Për zyrtarin e Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Irfan Lipovica, në dosjen e Prokurorisë thuhet se ekzistojnë dyshimet e bazuara se nga muaji shkurt i vitit 2022, në Prishtinë, në Ministrinë e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë së Kosovës, në cilësinë e personit zyrtar, me pozitë zv.sekretar i përgjithshëm, me qëllim të përfitimit të dobisë pasurore për personin tjetër dhe shkaktim të dëmit të buxhetit të Republikës së Kosovës, ai ka tejkaluar autorizimet ligjore të parapara për pozitën që e ka ushtruar.
Kësisoj, sipas Prokurorisë, Lipovica me dijeni të plotë ka lejuar që në kundërshtim me legjislacionin në fuqi të anashkalohet procedura e hapur e prokurimit publik për blerjen e rezervave shtetërore.
Në dosje thuhet se më 25 shkurt 2022 ai ka adresuar në Qeverinë e Kosovës kërkesën për përjashtimin e procedurave të rregullta të prokurimit si dhe klasifikimin e kësaj procedure si “sekrete” me qëllim për ta kufizuar konkurrencën dhe fshehur shkeljen e ligjit, e më pas, duke u bazuar në një vendim të Qeverisë së Kosovës, i cili e kishte bazën në kërkesën e kundërligjshme të të pandehurit, ka nxjerrë vendimin për formimin e komisionit për negocimin e kontratave për furnizimin me mallra të rezervës shtetërore për vitin 2022. Me këtë vendim, sipas Prokurorisë, është anashkaluar procedura e hapur e prokurimit publik.
Në dosjen e Prokurorisë thuhet se më pas edhe përkundër faktit se krijimi i këtij komisioni nuk kishte bazë ligjore, i pandehuri në drejtim të funksionimit të këtij komisioni për negocim me operatorin ekonomik “Yafe Turizm Inseat Sanayi ve Ticaret Anonim Sirketi” dhe “Xanto SP” ZO.O. In, kishte anashkaluar në tërësi dy anëtarët e komisionit. Sipas Prokurorisë, kjo i ka mundësuar të pandehurit Ridvan Muharremi që të luajë rolin e ndërmjetësuesit ndërmjet MINT dhe operatorit ekonomik, përkatësisht firmave nga të cilat do të siguroheshin produktet e rezervës shtetërore.
Dosja: Hafiz Gara ka adresuar te Irfan Lipovica kërkesën për përjashtimin e procedurave të prokurimit
Për zyrtarin tjetër të Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Hafiz Gara, dosja e Prokurorisë thotë se ai nga muaji shkurt i vitit 2022, në Prishtinë, në MINT, në cilësinë e personit zyrtar, në pozitën Drejtor i Departamentit të Rezervave Shtetërore të Mallrave (DRSHM/MINT), me qëllim të përfitimit të dobisë pasurore për personin tjetër dhe shkaktim të dëmit buxhetit të Republikës së Kosovës, ka tejkaluar autorizimet ligjore të parapara për pozitën që e ka ushtruar.
Në dosje thuhet se në kundërshtim me legjislacionin në fuqi, më datë 25 shkurt 2022 ka adresuar te Irfan Lipovica, kërkesën për përjashtimin e procedurave të prokurimit, edhe pse e ka ditur se kërkesa e tillë nuk ka bazë ligjore.
Gjithnjë sipas Prokurorisë, kjo kërkesë më pas i është adresuar Qeverisë së Kosovës, me qëllim për ta kufizuar konkurrencën dhe fshehur shkeljen e ligjit, përkundër faktit se ishte nxjerrë Vendimi për formimin e Komisionit për Negocimin e Kontratave për Furnizimin me Mallra të Rezervës Shtetërore për vitin 2022, me të cilin është anashkaluar procedura e prokurimit publik, e më pas ishte anashkaluar edhe Komisioni i cili ishte krijuar me qëllim të negocimit, porositjes dhe blerjes së produkteve të rezervës shtetërore të grurit, vajit të lulediellit dhe sheqerit. Dosja vazhdon duke thënë se kjo i ka mundësuar të pandehurit Ridvan Muharremi që të luajë rolin e ndërmjetësuesit ndërmjet MINT dhe O. E. përkatësisht firmave nga të cilat do të siguroheshin këto produkte të rezervës shtetërore, pas të cilave ishin nënshkruar kontratat me kompanitë në Turqi dhe Poloni për furnizim.