Interesimi për blerjen e IPKO-s nga Telekomi serb, ARKEP thotë se u njoftuan nga mediat

Anëtari i bordit të Autoritetit Rregullator të Komunikimeve Elektronike dhe Postare (ARKEP), Shqiprim Pula, gjatë raportimit lidhur me blerjen e mundshme të kompanisë IPKO ka deklaruar se ende nuk kanë marrë ndonjë njoftim zyrtar nga Telekomi i Sllovenisë e as nga operatori IPKO.

Pula deklaroi se për këtë proces mes Telekomit slloven dhe serb janë njoftuar vetëm nga mediat.

“Ne si ARKEP nuk kemi pranuar as nga telekomi slloven as nga operatori IPKO ndonjë shkresë apo ndonjë informatë zyrtare lidhur me procesin e shitjes. Telekomi slloven ka edhe një mori asetesh që i ka të shpërndara jo vetëm në Kosovë por në gjithë Ballkanin si njësi biznesore të Telekomit slloven, dhe rrjedhimisht ata vendosin se cilën njësi biznesore duan ta shesin. Ata kanë vendosur që procesin e shitjes të nisin edhe në Kosovë. Aktualisht çdo që qarkullohet është supozime por asgjë zyrtare të shkruar”, ka thënë Pula para komisionit për Ekonomi, Punësim, Tregti, Industri, Ndërmarrësi dhe Investime Strategjike.

Pula konfirmoi se Telekomi slloven ka filluar procesin e shitjes së aseteve dhe që Telekomi serb ka ofertuar për blerjen e mundshme të operatorit kosovar.

“Telekomi slloven në korrik 2019 e ka nisë procesin e shitjes dhe që nga atëherë procesi është i papërfunduar zyrtarisht e vërteta është qe Telekomi serb ka ofertuar për blerje por se blerja nuk ka ndodhur zyrtarisht. E vetmja gjë që mund të konfirmohet është se Telekomi slloven ka fillu shitjen dhe Telekomi serb ka ofertu për blerjen e mundshme”, tha ai.

Bordi u kritikua nga anëtarët e komisionit për veprimet të cilat ‘nuk’ i kanë ndërmarrë menjëherë pas raportimeve për blerjen e IPKO-s nga Telekomi serb. Kjo pasi Pula deklaroi se nuk kanë kontaktuar me operatorin IPKO.

Ai deklaroi se shteti duhet të ndërhyjë për “siguri kombëtare”.

“Nuk kemi trajtuar zyrtarisht asgjë pasi nuk kemi pranu asgjë zyrtare. Në momentin kur pranohet kjo shkresë qe trajton këtë shitje, neve me urgjencë do ta trajtojmë. Republika e Kosovës me institucione mund të ndërhyrje kur konfirmohet një proces i shitjes por nuk do të thotë që mos të ketë interesim paraprakisht. Ndërhyrja e shtetit është e domosdoshme gjithmonë kur kemi parasysh sigurinë kombëtare. Unë personalisht nuk do ta nënshkruaja një licencë të tillë”, tha ai.