Intensifikohet fushata për hapjen e teatrove në vend

Përmes sloganit “Teatrot të hapen tani!”,  drejtues të teatrove publike e private dhe njerëz të skenës dhe arti kanë intensifikuar fushatën për hapjen e teatrove në vend.

Shumë prej drejtuesve të këtyre institucioneve, por edhe aktorë, dramaturgë e regjisorë kanë zgjedhur Facebook-un për të protestuar për mos hapjen e teatrove.

Javë më parë drejtues të institucioneve teatrove kishin nisur nënshkrimin e një peticioni drejtuar ministrit të Shëndetësisë Armend Zemaj dhe ministres së Kulturës Vlora Dumoshi për hapjen e teatrove në vend.

Përmes peticionit, komuniteti teatror i bën thirrje MSH-së dhe MKRS-së që sa më parë të krijojnë mundësi që teatrove t’u lejohet që të nisin punën dhe të fillojnë të mirëpresin publikun.

Por, deri më tani institucione nuk kanë lëvizur nga vendimi i  28.07.2020 i Qeverisë së Kosovës përmes së cilit ndalohen veprimtaritë rekreative, kulturore dhe sportive në mjedise të mbyllura dhe të hapura në të gjithë territorin e Republikës së Kosovës.

Dramaturgu Jeton Neziraj, drejtor i Qendrës Multimedia në Prishtinë, ka thënë për KALLXO.com se dëmet që po shkakton mbyllja janë të jashtëzakonshme dhe ato kapin aspekte të ndryshme të jetës teatrore.

“Më të prekurit janë artistët, teatror e pavarur, të cilët tash e mbi 6 muaj janë pa angazhime, që do të thotë, pa të ardhura. Aspekte të tjera të kësaj mbylljeje lidhen pastaj me bllokadën dhe ngatërresat buxhetore, me dështim dhe mosrealizim të programit, me humbjen e publikut e kështu me radhë. Prandaj, është koha e fundit që teatrot të hapen, nëse duam ta shpëtojmë nga kolapsi edhe më i madh skenën teatrore, edhe ashtu të varfër – ndoshta më të varfrën në Evropë”, ka thënë Neziraj, njëri prej iniciuesve të fushatës dhe peticionit, “Teatrot të hapen tani!”.

Sipas tij, institucionet deri tani kanë hezituar ta trajtojnë me seriozitet çështjen e hapjes së teatrove.

“Megjithatë, tash së voni ka një mobilizim serioz të komunitetit teatror dhe jam i sigurt që ky mobilizim do të prodhoj rezultate. Sepse kërkesa është legjitime. Teatrot duhet të hapen”, ka pohuar ai.

Ndërkaq, në një përgjigje për KALLXO.com, zyrtarë të MKRS kanë thënë se shqetësimet e institucioneve të kulturës dhe skenës së pavarur i përcjell në Qeveri dhe institucione kompetente që merren me menaxhimin e pandemisë.

“Është në përgjegjësinë e tyre (Qeverisë- Ministrisë së Shëndetësisë dhe Instituti të shëndetit publik) pastaj ta vlerësojë situatën dhe kërkesa që vijën nga ministria për t’i lejuar aktivitetet apo jo”,  thuhet në përgjigjen e MKRS-së.

Për shkak të COVID-19 shumë institucionet kulturore në vend, duke përfshirë edhe ato teatrore janë detyruar të ndërpresin veprimtarinë.

Florent Mehmeti. Foto: Facebook/Florent Mehmeti

 

Fatmir Hyseni. Foto: Facebook/Fatmir Hyseni

 

Erson Zymberi. Foto: Facebook/Erson Zymberi
Jeton Neziraj. Foto: Facebook/Jeton Neziraj