Gaza, Foto: Pixabay. Ilustrim

Intensifikohen përpjekjet për armëpushim - Izraeli vret 20 palestinezë

Shtetet e Bashkuara, së bashku me ndërmjetësuesit arabë, u munduan, të mërkurën, të finalizonin një Marrëveshje ndërmjet Izraelit e “Hamasit”, për ndaljen e luftës 14 mujore në Rripin e Gazës, ku mjekët thanë se sulmet izraelite vranë të paktën 20 palestinezë gjatë natës – ka raportuar, më 18.12.2024, Reuters.

Një zyrtar palestinez i afërt me negociatat ka bërë të ditur, të mërkurën, se ndërmjetësit kishin ngushtuar boshllëqet në shumicën e klauzolave ​​të Marrëveshjes. Ai njoftoi se Izraeli kishte paraqitur kushte të cilat “Hamasi” i hodhi poshtë, por nuk deshi t’i shtjellonte.

Të martën, burime pranë bisedimeve në Kajro, kryeqyteti egjiptian, njoftuan se një Marrëveshje mund të nënshkruhet në ditët në vijim “për armëpushim” dhe “për lirimin e pengjeve të mbajtura në Gazë”, në këmbim të të burgosurve palestinezë të mbajtur nga Izraeli.

Mjekët thanë se një sulm ajror izraelit vrau të paktën 10 persona në një shtëpi, në qytetin verior të Beit Lahiya. Ndërsa, gjashtë të tjerë u vranë në sulme të veçanta ajrore në qytetin e Gazës, kampin “Nuseirat”, në zonat qendrore dhe “Rafah”, pranë kufirit me Egjiptin.

Në Beit Hanoun në Rripin verior të Gazës, mjekët thanë se katër persona u vranë në një sulm ajror në një shtëpi. Nuk kishte asnjë koment të menjëhershëm, nga zëdhënësi ushtarak izraelit.

Forcat izraelite kanë operuar në qytetet Beit Hanoun e Beit Lahiya, si dhe në kampin aty pranë Jabalia, që nga tetori, me një fushatë që ushtria thekson se synon të parandalojë rigrupimin e militantëve të “Hamasit”.

Palestinezët akuzojnë Izraelin për kryerjen e akteve të “spastrimit etnik”, për të shpopulluar skajin verior të enklavës, që të krijohet një zonë tampon. Izraeli i mohon akuzat.

 

Përgatiti: Rexhep Maloku – Kallxo.com