Intensifikohen përpjekjet e bashkësisë ndërkombëtare për zbutjen e krizës në Kosovë

Liderët e Gjermanisë dhe Francës do ta udhëheqin një shtytje të përtërirë diplomatike për t’i zbutur tensionet në Kosovë të enjten. Kancelari gjerman Olaf Scholz dhe presidenti francez Emmanuel Macron planifikojnë të takohen me liderët e Serbisë dhe Kosovës në një samit në Moldavi.

Përpjekjet ndërkombëtare për ta zbutur krizën në Kosovë duket se do të intensifikohen të enjten me liderët e Francës dhe Gjermanisë për t’u takuar me zyrtarë të lartë nga Serbia dhe Kosova në një samit në Moldavi, shkruan sot Euronews.

Zëdhënësi  i qeverisë gjermane Steffen Hebestreit ka deklaruar se kancelari Olaf Scholz dhe presidenti francez Emmanuel Macron planifikojnë të takohen me liderët e të dy vendeve duke shtuar se takimi do të zhvillohet në margjinat e takimit të Komunitetit Politik Evropian në kryeqytetin moldav, Kishinau.

Të mërkurën, qindra serbë mbajtën kanë vazhduar me protesta në qytetin verior të Zveçanit, skenën e përleshjeve të fundit me policinë dhe ushtarët e misionit paqeruajtës të NATO-s KFOR.

Ata kërkuan tërheqjen nga Kosova veriore e policisë speciale dhe kryetarëve shqiptarë etnikë, të cilët u zgjodhën në postet e kryetarëve të komunave në zgjedhjet e fundit të bojkotuara kryesisht nga serbët etnikë.

Turma e protestuesëve më pas ka shpalosur një flamur të madh serb jashtë ndërtesës së komunës së Zveçanit. Protesta e së mërkurës ka përfunduar e qetë.

Tensionet në rritje

Tensionet në rritje kanë nxitur shqetësimin për një luftë tjetër të tilla sikurse  lufta e viteve 1998-99 në Kosovë që mori më shumë se 10,000 jetë, la më shumë se 1 milion njerëz të pastrehë dhe rezultoi në një mision paqeruajtës të NATO-s që ka zgjatur gati një çerek shekulli. NATO po dërgon 700 trupa shtesë në Kosovë për ta përforcuar praninë e KFOR-it, e cila aktualisht numëron rreth 3,800 trupa.

Duke punuar për ta shmangur çdo përshkallëzim, zyrtarët e Bashkimit Evropian u takuan me kryeministrin e Kosovës Albin Kurti në margjinat e një konference në Bratislavë të Sllovakisë.

“Situata aktuale është e rrezikshme dhe e paqëndrueshme,” ka deklaruar shefi i politikës së jashtme të BE, Josep Borrell. “Ne kemi nevojë për një de-përshkallëzimin urgjent.”

Duke folur në Sllovaki, kryemiistri i Kosovës Albin Kurti i refuzoi kategorikisht kërkesat serbe, por la të hapur derën për zgjedhje të reja lokale.

“Përderisa ka një turmë të dhunshme jashtë ndërtesave të komunave, ne duhet t’i kemi njësitë tona speciale”, tha ai. “Nëse do të kishte protesta paqësore që përmes të cilave kërkohen zgjedhje të parakohshme, kjo do ta tërhiqte vëmendjen time dhe ndoshta do ta merrja në konsideratë këtë kërkesë.”

Kurti sugjeroi gjithashtu se Rusia mund të jetë e përfshirë në trazirat e fundit, duke i shfaqur protestuesit që “bëjnë grafiti me shkronjën Z” dhe tregojnë admirim për presidentin “despotik” rus Vladimir Putin dhe për pushtimin rus të Ukrainës.

“Ndikimi rus”

Rusia është aleat i ngushtë i Serbisë, megjithëse udhëheqësit populistë të Beogradit pretendojnë se po kërkojnë anëtarësimin në Bashkimin Evropian.

Zëdhënësi i Kremlinit Dmitry Peskov ka deklaruar të mërkurën se Moska po e monitoron situatën dhe po i mbështet “të gjitha të drejtat dhe interesat legjitime të serbëve të Kosovës”.

Të hënën, serbët etnikë u përpoqën t’i sulmonin zyrat komunale dhe u përleshën me policinë e Kosovës dhe paqeruajtësit, duke lënë të plagosur 30 ushtarë të NATO-s dhe 50 protestues.

Konfrontimi ndodhi fillimisht javën e kaluar pasi përfaqësuesit e zgjedhur me etni shqiptare u futën në ndërtesat komunale për ta marrë detyrën e kryetarëve të komunave me një eskortë të policisë së Kosovës.

Kur serbët u përpoqën t’i bllokonin ata, policia e Kosovës hodhi gaz lotsjellës për t’i shpërndarë protestuesit. Në Zveçan të hënën, serbët e zemëruar përsëri u përleshën fillimisht me policinë dhe më vonë me trupat e udhëhequra nga NATO të cilët u përpoqën të siguronin zonën.Serbia, ndërkohë, e ka vendosur ushtrinë e saj në gjendjen më të lartë të gatishmërisë dhe ka dërguar më shumë trupa në kufirin me Kosovën./Euronews

Përgatiti: Nuhi Shala