Inteligjenca serbe akuzon dy persona për spiunim për Kroacinë

Agjensia e sigurisë dhe informacionit të Serbisë ngriti padi penale kundër një qytetari serb dhe një kroat për përfshirje në spinuazh, duke i akuzuar ata për mbledhje të informacionit për rastet e krimeve të luftës dhe kalimin e tyre tek inteligjenca kroate.

 

Agjensia e sigurisë së informacionit e Serbisë, BIA, tha të premten se ka ngritur padi kundër një ish polici hetues kroat dhe shef i unionit të policisë kombëtare të Kroacisë, Nikola Kajkiq, dhe ish policit serb, Drazen Letiq.

BIA në një deklaratë tha se Letiq, “me urdhër të anëtarëve të sigurisë kroate dhe strukturave politike”, ishte paguar për mbledhje të informacioneve që do të mund të përdoreshin kundër Serbisë.

“Letiq është pjesë e një rrjeti bashkëpunues… i krijuar dhe i përdorur vitet e fundit nga Nikola Kajkiq, që të mbledhë informacione të inteligjencës, të rekrutojë njerëz nga këto zona për bashkëpunim me drejtësinë kroate, si dhe marrjen e dokumenteve që do keqpërdoreshin për qëllime të politikës së jashtme, në mënyrë që ta diskreditojnë republikën e Serbisë”, thuhet në deklaratë.

Kajkiq thuhet se mblodhi informacione në hetimet e Serbisë për krimet kundër kroatëve gjatë luftës 1991-1995, kryesisht rastet që ishin duke u trajtuar nga prokurori serb i krimeve  të luftës.

Asnjëri prej tyre nuk ka reaguar publikisht për akuzat deri tani.

Kajkiq, si një oficer policie në Departamentin e Vukovar-Srem në Kroaci, hetoi ekzekutimet nga forcat serbe në fermën Ovcara pas rënies së qytetit të Vukovarit në vitin 1991, por ishte suspenduar nga policia në korrik të vitit të kaluar.

Policia atë kohë raportoi se Kajkiq ishte suspenduar për falsifikim të dokumentit derisa po kryente një hetim penal për krimet.

Kajkiq, i cili po ashtu udhëheq një organizatë të veteranëve të luftës, deklaroi se ishte suspenduar për  “hetim të tepruar të krimeve  të luftës”.