Integriteti dhe pavarësia e institucioneve të drejtësisë penale në Ballkanin Perëndimor, ku gjendet Kosova?

Iniciativa Globale kundër Krimit të Organizuar Ndërkombëtar (GI-TOC) ka mbajtur një diskutim lidhur me integritetin dhe pavarësinë e institucioneve të drejtësisë penale në Ballkanin Perëndimor.

Në këtë diskutim, vendet e Ballkanit Perëndimor kanë treguar se ku kanë arritur shtetet e tyre në këtë drejtim.

Ehat Miftaraj, drejtor ekzekutiv i Institutit të Kosovës për Drejtësi (IKD), tha se kur është puna te integriteti dhe llogaridhënia, sipas tij, sistemi prokurorial në Kosovë nuk është në formën më të mirë.

“Raporte ndërkombëtare, raporte të shoqërisë civile, tregojnë që sistemi prokurorial në Kosovë është i bazuar më së shumti në korporatizëm” – tha Miftaraj.

“Prej 13 anëtarëve të KPK-së sipas ligjit të tanishëm prej vitit 2015 deri në 2023 ka qenë i përbërë vetëm prej 10 pjesëtarëve të cilët kanë qenë të gjithë prokurorë dhe vetëm më pas në vitin 2024 kanë arritur të rekrutojnë tre pjesëtarë që nuk janë prokurorë, që janë profesorë dhe nga shoqëria civile. Fatkeqësisht një nga anëtarët është dorëhequr një muaj apo dy pasi ishte zgjedhur që do të thotë numrat në KPK janë të stërmbushur me prokurorë dhe më pak me joprokurorë” – shtoi drejtori i IKD-së.

Tutje, ai tha se në Kosovë ka mangësi edhe në rezultatet në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.

Ai gjithashtu shpjegoi se deri më tash në Kosovë kanë qenë më shumë se katër ose pesë reforma lidhur me drejtësinë penale.

“Nga 2010 ne kemi miratuar ligje për Këshillin Prokurorial të Kosovës, Këshillin Gjyqësor të Kosovës, prokurori dhe gjykata, të njëjtat janë amendamentuar në vitin 2015, 2017, 2019 dhe 2023” – tha Miftaraj.

Ai tutje shtoi se duke u bazuar në Kushtetutën e Kosovës, sistemi prokurorial është plotësisht i pavarur, që do të thotë është një trup vetërregullues që nuk i raporton Kuvendit të Kosovës dhe nuk i raporton Qeverisë së Kosovës.

Iniciativa Globale kundër Krimit të Organizuar Ndërkombëtar (GI-TOC) është rrjet profesionistësh që punojnë në frontin e luftës kundër ekonomisë së paligjshme dhe faktorëve kriminalë.

Raporti i ri nga GI-TOC eksploron sfidat me të cilat përballen policia dhe institucionet e prokurorisë në Ballkanin Perëndimor, e ky raport ofron një analizë gjithëpërfshirëse të ndikimeve politike dhe atyre të jashtme që minojnë pavarësinë dhe efektivitetin e policisë dhe shërbimeve të prokurorisë në rajon.