Foto: KALLXO.com

'Integra' publikon raportin plot vërejtje për Institutin Albanologjik të Prishtinës

Organizata “Integra” ka prezantuar sot raportin e vlerësimit të shoqërisë civile për Institutin Albanologjik të Prishtinës, të titulluar “Instituti i vetizoluar”.

Raporti i publikuar jep një pamje aspak premtuese për Institutin Albanologjik duke e konsideruar një ‘institucion i vetizoluar’ me punëtorë shkencorë që marrin paga pa i merituar ato.

Janë  diku 20 gjetje dhe rekomandime në hulumtimin e “Integra”-s për vlerësimin e veprimtarisë së Institutit.

Vërejtjet kryesore të dala nga ky raport janë ato që kanë të bëjnë me veprimtarinë botuese, kriteret e avancimit të punëtorëve shkencor, çështjen e përkthimit, bashkëpunimet ndërkombëtare, pozitat që mbanë drejtori i Institutit,  çështjet gjinore, etnike, transparenca, objektet me qira, etj.

Qëllimi i raportit

Qëllimi i publikimit të këtij raporti, i cili u prezantua para gazetarëve, është që të rishikojë  dhe të vlerësojë Institutin Albanologjik por edhe inicimin e një dialogu më të gjerë me akterë të ndryshëm lidhur me këto institucione.

Kushtrim Koliqi nga organizata “Integra” ka thënë se qëllimi i organizmit të këtij prezantimi për media është se projekti si i tillë parasheh edhe aktivitete dialogu dhe avokimi me akterë të tjerë pas lansimit të raporti.

Sipas tij, kur është filluar me implementimin e raportit të vlerësimit për institucione shkencore e arsimore është parë se shumë institucione funksionojë si ishuj dhe askujt nuk i dhënë llogari.

“Aktivitetet e tyre janë shumë të izoluara dhe nuk dihet shumë për to, as rreth shpenzimit të parasë publike, performancës së tyre, etj.”, ka thënë ndër të tjera Koliqi.

Gjetjet e raportit

Shkëlzen Gashi, autor i hulumtimit ka deklaruar se  zyrtarë të këtij Instituti kanë qenë mjaft bashkëpunues gjatë hulumtimit, duke iu ofruar shumicën e dokumenteve të kërkuara.

Gashi ka potencuar se pjesën dërmuese të botimeve Instituti i ka në gjuhën shqipe dhe një përqindje të vogël në gjuhën angleze.  Njëjtë sipas Gashit ndodh edhe gjatë aktiviteteve shkencore, botimit të materialeve të botuara në tri revistave të Institutit, të cilat nuk janë në databazat serioze ku indeksohen revistat me ‘Double blind peer review.’ dhe nuk kanë kodin ISSN.

Ndërsa një prej gjetjeve të tjera të raportit është edhe avancimi i punëtorëve shkencorë të Institutit në bashkëpunëtor shkencor, bashkëpunëtor shkencor i lartë dhe në këshilltar shkencor.

“Asnjë prej 36 punëtorëve të Institutit Albanologjik nuk kanë të botuar artikuj në revista ndërkombëtare të listuara në platformën ‘Scopus’ dhe ‘Web of Science’. Në bazë të Ligjit për veprimtarinë shkencore për titullin bashkëpunëtor shkencore (rroga 1239 euro) kërkohet së paku një punim shkencor të botuar në ndonjë revistë relevante ndërkombëtare në kuadër të fushës; për bashkëpunëtor të lartë shkencor (rroga 1379 euro) tri punime dhe për këshilltar shkencor (rroga 1622 euro) pesë botime”, ka thënë Gashi, duke rekomanduar të respektohet Ligji për veprimtarinë shkencore dhe publikim online të CV-ve të punëtorëve të Institutit.

Vërejtje raporti ka edhe sa i përket pozitave që mbulon drejtori i Institutit, bashkëpunimet ndërkombëtare e vendore, transparencë, publikimeve online, qirasë, çështjen e llogarisë bankare, pastaj pasjen e një strategjie të qartë për realizimin e projekteve, por edhe sa i përket angazhimit të studiuesve të huaj dhe të minoriteteve në punën e tij.

Sipas Gashit, Instituti qëndron keq edhe sa i përket realizimit të projekteve të mëdha. Sipas tij deri më tani Instituti ka realizuar vetëm projektin për  veprën e Rexhep Qosjes dhe projektin për Anton Çettën, ende të pakryer.

“Duhet sqarohet cila është vlera e Qosjes, apo Çettës. Pse nuk është botuar vepra e ish punëtorit të Institutit, Hasan Kaleshi, i cili është autori më i anatemuar, por i cili ishte më i cituar ndërkombëtarisht, me mbi 500 bibliografi”, ka thënë ndër të tjera Gashi.

Ndërkaq Lulëzim Lajçi, sekretar shkencor në Institut ka thënë se nuk mund të japin një mendim për raportin, pasi ende nuk e kanë atë..

“Në lidhje me këtë raport Instituti do të dalë me një konkludim, por në lidhje atë sa kam mundur të di për raportin, deri në këtë moment, mendoj se disa rekomandime qëndrojnë por, disa prej tyre, se ne jemi të vetizoluar tregojnë aktivitete shkencore dhe pothuajse të gjithë albanologët e huaj janë pjesë e këtyre aktiviteteve”, ka thënë Lajçi.

Ky është raporti i dytë i këtij lloj pas atij mbi Akademinë e Shkencave dhe Arteve që “Integra” e realizon.