Ilustrimi: Jetë Dobranja për Kallxo.com

Instituti Ndërkombëtar i Shtypit (IPI) mbështet BIRN-in lidhur me padinë nga PDK-ja

International Press Institute (IPI), ka mbështetur punën hulumtuese të gazetares dhe drejtoreshës së Rrjetit Ballkanik të Gazetarisë Hulumtuese në Kosovë, Jeta Xharra.

Nëpërmjet një postimi në Twitter, ky rrjet ndërkombëtar i gazetarëve dënon fuqishëm padinë që Partia Demokratike e Kosovës ka iniciuar ndaj gazetës hulumtuese, Xharra.

“Ne e dënojmë  fuqishëm padinë për shpifje ndaj anëtarëve të IPI-së, Jeta Xharra, një gazetare hulumtuese, dhe mediat PrishtInsight, BIRN dhe KALLXO.com. Ne do t’i mbështesim të gjithë ata që janë të përfshirë dhe do të sigurojmë që gazetaria e tyre e rëndësishme hulumtuese të mbrohet”, thuhet në postimin e tyre.

Hulumtimi i publikuar ditë më parë nga BIRN zbuloi se ish-ministrja e Integrimit Evropian ka lidhur një kontratë të dyshimtë për të lobuar pro shkëmbimit të territoreve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, një ide e proklamuar gjatë vitit 2018 edhe nga Presidenti i vendit, Hashim Thaçi, i cili ishte kryetar i PDK-së, partisë të cilës i takon Dhurata Hoxha.

Hulumtimi i dytë gjithashtu, zbuloi se, në lobim për shkëmbim territoresh ishte i përfshirë edhe ambasadori i Kosovës në Paris, Qëndrim Gashi.

Padia e PDK-së kundër BIRN nuk mund ta fshehë të vërtetën

www.kallxo.com