Instituti i Shëndetit Publik: Në Kosovë asnjë rast me koronavirus
Në Institutin Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës është mbajtur një takim midis Komitetit për Sëmundje Ngjitëse, ku u diskutua për pneumoninë virale me koronavirus.
Koronavirusi është shpërndarë në masë të madhe në Kinë, nga i cili deri më tani kanë vdekur 80 persona.
Lidhur me këtë, drejtori IKSHPK-së Naser Ramadani, tha se në Kosovë ende nuk është konfirmuar zyrtarisht asnjë rast me koronavirus.
Por, ai theksoi se është e nevojshme të aktivizohen të gjithë mekanizmat shtetëror e institucional, në rast të paraqitjes së ndonjë rasti të dyshimtë.
“Instituti është i gatshëm, për menaxhimin e të gjitha rasteve dhe përcjelljen e situatës epidemiologjike. Nuk ka nevojë për panikë, por ka nevojë për kujdes”, citohet të ketë thënë Ramadani.
Kurse, Isme Humolli, përfaqësuese nga Zyra e Organizatës Botërore të Shëndetësisë në Kosovë, u shpreh se tashmë është duke u bërë komunikimi i rrezikut me publikun dhe punonjësit shëndetësor.
Ndërsa, tha se matja e temperaturës së udhëtarëve me laser, në Aeroportin e Prishtinës, mund të mos jetë aq efektive, në zbulimin e kësaj epidemie.
Në anën tjetër, doktoresha Ariana Kalaveshi, tha se ekzistojnë disa paqartësi, lidhur me këtë epidemi, siç është periudha e inkubacionit të sëmundjes, e cila ende nuk dihet saktë.
Ndërkaq, drejtoresha e Klinikës Infektive Lindita Ajazaj, potencoi faktin se kanë bërë kërkesë që të pajisen me maska dhe mjete tjera mbrojtëse, si dhe tregoi planin për të krijuar një repart të izolimit, brenda kësaj klinike, në rast të paraqitjes së ndonjë rasti.
Në fund të takimit, u vendos që të formohet një Grup Punues, në lidhje me pneumoninë virale me koronavirus.
Komiteti për sëmundje ngjitëse këshillon të gjithë, që t’i përmbahen rekomandimeve të Institutit Kombëtar.