
Instituti i Krimeve të Kryera Gjatë Luftës në Kosovë prezanton raportin 1-vjeçar të punës: U grumbulluan rreth 190 metra material arkivor
Raporti 1-vjeçar i Institutit të Krimeve të Kryera Gjatë Luftës në Kosovë është prezantuar më 17.12.2024 në Qeverinë e Kosovës.
Kryeministri Albin Kurti ka thënë se këto materiale po arkivohen për “t’i shërbyer kujtesës si popull dhe kërkesës për drejtësi”.
Materialet, sipas tij, do t’u shërbejnë edhe gjeneratave të ardhshme, që të njohin vuajtjet dhe qëndresën e popullit të Kosovës gjatë një periudhe të errët.
Sipas tij, gjatë këtij viti janë grumbulluar rreth 190 metra gjatësi të materialit fizik arkivor dhe rreth 15 terabajt material digjital, video, audio, foto, që dokumentojnë krimet e kryera gjatë luftës në Kosovë.
“Metodologjia që po e udhëheq këtë proces përfaqëson qasje gjithëpërfshirëse, me standarde të larta profesionale dhe etike. Gjatë këtij viti janë grumbulluar rreth 190 metra gjatësi të materialit fizik arkivor dhe rreth 15 terabajt material digjital, video, audio, foto, që dokumentojnë krimet e kryera gjatë luftës në Kosovë. Ky informacion, i grumbulluar gjatë kësaj periudhe, është mbledhur nga 67 burime të ndryshme, pra, organizata, institucione, koleksionues, të cilët i kanë dorëzuar dëshmitë që kanë pasur”- tha kryeministri Kurti.
Tutje, ai ka shtuar se derisa familjet ende kërkojnë eshtrat e të dashurve tyre, Serbia refuzon të kërkojë falje apo madje edhe të pranojë të kaluarën e saj gjenocidale.
“Në emër të drejtësisë, paqes dhe ruajtjes së vërtetës, ne duhet të kujtojmë: dokumentimi i krimeve të luftës, krimeve kundër njerëzimit dhe gjenocidit të kryer gjatë luftës 1998-1999 në Kosovë, është detyrim moral dhe historik për të gjitha gjeneratat. Është premtim për viktimat dhe familjet e tyre se nuk do të harrojmë asnjëri, asnjëherë”- u shpreh Kurti.
Drejtori Ekzekutiv i Institutit të Krimeve të Kryera Gjatë Luftës në Kosovë (IKKL), Atdhe Hetemi, tha se prezantimi i Raportit Vjetor të Punës rikonfirmon përkushtimin “për ta ruajtur dialogun dhe për të përfshirë të gjithë akterët relevantë në punën tonë”.
“Raporti 1- vjeçar përmbledhë informata të punës së Institutit nga Nëntori i vitit 2023 deri në Nëntor të vitit 2024 dhe pasqyron përpjekjet tona të përbashkëta për të vendosur themele të forta për dokumentimin dhe hulumtimin e krimeve të luftës”- tha ai.
Hetemi ka shtuar se për vitin 2025 prioriteti kryesor mbetet funksionalizimi i plotë i Institutit, intensifikimi i përpjekjeve për grumbullimin e materialeve edhe në shtetet e rajonit, dhe zbatimi i projektit të digjitalizimit.
Kurti ka shprehur mirënjohje organizatave të shumta e aktivistëve të të drejtave të njeriut, për angazhimin dhe rolin e tyre ndër vite, në punën e palodhshme shumë vjeçare për dokumentimin e krimeve të kryera nga Serbia, si dhe Agjencinë Shtetërore të Arkivave të Kosovës, Institutin e Historisë, Universitetin e Prishtinës, Bibliotekën Kombëtare të Kosovës dhe institucionet të tjera shtetërore për përkrahjen ndaj Institutit të Krimeve të Kryera Gjatë Luftës në Kosovë.
Kryeministri Kurti, më 11.11.2024, pati vizituar Institutin e Krimeve të Kryera Gjatë Luftës në Kosovë.
Aty, ai nuk pati pranuar të ndajë detaje rreth “padisë së paralajmëruar” ndaj Serbisë për krimet e kryera gjatë luftës së fundit në Kosovë, me arsyetimin se kjo çështje është konfidenciale dhe se “përgatitjet [rreth padisë duhet] t’i zhvillojnë jashtë syve të publikut”.
“Në kuptimin e përmbajtjes nuk mund të flas meqenëse këto përgatitje përfundohen në konfidencialitet, sepse kemi të bëjmë me një shtet armiqësor ndaj nesh, që nuk i pranon krimet e kryera në Kosovë, përkundrazi i quan të fabrikuara”- pati deklaruar Kurti për media.
Para se të vinte në pushtet, ai kishte deklaruar se Kosova synon të padisë Serbinë për gjenocid, për periudhën e luftës së fundit në shtet.
Kurti për “padinë e paralajmëruar” ndaj Serbisë: Përgatitjet po i zhvillojmë jashtë syve të publikut