Instituti i Historisë Foto: KALLXO.com

Instituti i Historisë reagon për librat e kontestuar të historisë

Instituti i Historisë ‘Ali Hadri” në Prishtinë ka reaguar përmes një deklarate për media lidhur me projektin “Mësimdhënia e historisë bashkëkohore e Evropës Juglindore” (Projekti i historisë se përbashkët) që është realizuar nga Qendra për Demokraci dhe Pajtim në Evropën Juglindore (CDRSEE), me seli në Selanik.

Përmes kësaj deklarate, që mban firmën e drejtorit, Sabit Syla, Instituti “Ali Hadri” njofton se ky institut me shqetësim po ndjek debatin e fundit lidhur me botimin e teksteve të përbashkëta alternative të historisë së popujve të Ballkanit, projekt në të cilin ishin të përfshirë edhe tre studiues nga Kosova.

“Në këtë debat, i cili po shoqërohet me akuza e kundër akuza, e shohim të arsyeshme të sqarojmë për opinionin e gjerë se asnjëri prej tre historianëve të apostrofuar (Jusuf Bajraktari, Fehmi Rexhepi dhe Frashër Demaj) nuk është dërguar nga Instituti”, thuhet në deklaratë.

Po sipas kësaj deklarate, pjesëmarrja e këtyre tre historianëve kosovarë nuk është diskutuar asnjëherë në Këshillin Shkencor të Institutit, andaj edhe nuk kanë pasur ndonjë miratim apo pëlqim nga organet e institucionit edhe pse të apostrofuarit ishin pjesë udhëheqëse e institucionit (dy prej tyre, ish-drejtorë dhe tjetri sekretar shkencor).

“Pse dhe si janë përzgjedhur nga CDRSEE, pikërisht këta historianë ne nuk kemi fare njohuri. Instituti i Historisë nuk ka të drejtë ligjore t’ua ndalojë asnjërit prej punonjësve të vet që të marrin pjesë në projekte të ndryshme në cilësinë e ekspertit të pavarur”, thuhet në deklaratën e IH-së.

Instituti i Historisë, “Ali Hadri” në Prishtinë po ashtu ka kërkuar nga Akademia e Shkencave dhe Arteve dhe Ministria e Arsimit që të dalin me qëndrime lidhur me projektin “Projekti i historisë se përbashkët’ (Joint History Project) të hartuar nga “Qendra për demokraci dhe pajtim në Evropën Juglindore” (CDRSEE). 

“Sa i përket përmbajtjes së teksteve, Instituti i Historisë nuk pajtohet me përmbajtjen e tyre. Në këtë kontekst, kërkojmë nga institucionet përkatëse të Republikës së Kosovës, e në veçanti nga Akademia e Shkencave dhe Arteve e Kosovës dhe Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, që të kemi një qëndrim të përbashkët”, thuhet në deklaratën e IH-së, “Ali Hadri” në Prishtinë.