Arkiv - Foto: Facebook/ Komuna Malisheve

Instituti Hidrometeorologjik: Situata është në kontrollë me të reshurat e shiut

Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës është duke pëcjellë situatën e reshjeve të shiut që kanë ndodhur në 24 orët e fundit ndërsa tregojnë se nuk do të ketë vërshime.

Bashkim Kastrati nga ky institut thotë në një bisedë për KALLXO.com se kanë parashikuar këtë situatë.

“Ashtu siç e kemi parashikuar, do të ketë reshje këtyre ditëve por duke pasur parasysh sezonën që kemi kaluar, një verë të thatë, lumenjtë në tërë territorin e Kosovës janë në kuotat e tyre normale dhe kështu do të qëndrojnë”, tha Kastrati.

Ai shtoi se nuk do të ketë vërshime.

“Sasia më e madhe e reshjeve në 24 orët e fundit ka qenë në rrafshin e Dukagjinit edhe atje nga stacionet tona matëse del se në Deçan ka pasur reshje diku përmbi 60milimetra, Malishevë 35 milimetra, Istog 40 milimetra e këto të tjerat kanë ma pak, pra nuk parashikohet të ketë vërshime”, tha tutje Kastrati.

Në 24 orët e fundit ka pasur reshje të shiut kohë pas kohe ndërsa gjatë natës, reshjet kanë qenë më të dendura.

Kjo situatë sipas Institutit Hidrometeorologjik do të zgjas edhe ditëve në vijim.

Në fillim të këtij viti, shumë qytete të Kosovës u përballën me vërshime ndërsa familje të shumta janë detyruar që të lëshojnë shtëpitë e tyre dhe të jetojnë në banesa sociale apo te të afërmit e tyre deri në stabilizimin e situatës me vërshimet.

Vërshime pati në komunat, Gjilan, Malishevë, Vushtrri, Lipjan e shumë të tjera.

Vërshimet në Malishevë, përmbyten shtëpi e dyqane – VIDEO