Liqeni i Batllavës - Foto: KALLXO.com

Instituti Hidrometeorologjik: Nuk parashihet rrezik nga përmbytjet e lumenjve

Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës (IHMK) përmes një njoftimi ka bërë të ditur se si pasojë e reshjeve në ditët në vijim mund të ketë vështirësi lokale, të qarkullimit rrugor dhe rrëshqitje të dheut.

Këto reshje sipas IHMK-së do jenë të shoqëruara edhe më shtrëngata, rrufe e breshër.

“Pasi që pritet të ketë reshje të shiut nga data 17-19 me intervale të ndryshuara të cilat do të jenë të intensitetit të ulët deri mesatarisht të lartë por kryesisht të karakterit lokal, mund të jenë të shoqëruar me shtrëngata dhe herë pas here me shkarkime rrufesh dhe mundësi breshëri, të cilat mund të shkaktojnë probleme dhe vështirësi lokale, si në funksionimin e sistemeve të kanalizimeve, dhe të ujërave atmosferike, vështirësi lokale të qarkullimit rrugorë, rrëshqitje të dheut etj”, thuhet në njoftim.

IHMK potencon se nuk parashihet të ketë përmbytje nga lumenjtë kryesorë.

“Në lumenjtë kryesorë, sipas rrjetit të stacioneve hidrometrike në Kosovë, nuk përshihet që të kenë lëkundje të theksuara të niveleve dhe prurjeve të ujit, prandaj edhe nuk do të ketë rrezik nga përmbytjet lumore”, thuhet tutje në njoftim.

Sipas Institutit, reshjet me intensitet më lartë në disa zona, mund të aktivizojnë rrjedhat e shpjeta me karakter malor siç janë përrenjtë si dhe paraqitjen e vërshimeve të shpejta lokale.

Instituti Hidrometeorologjik thekson se këto të dhëna do përditësohen në bazë të situatës dhe llogaritjeve hidrologjike.