Ilustrim

Instituti Hidrometeorologjik njofton nëse ka rrezik nga vërshimet në ditët në vijim

 

Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës (IHMK) paralajmëron mot të vranët dhe me reshje në tri ditët e para të javës dhe ngritje të temperaturave në fundjavë. Reshjet e shiut, shkarkimet e rrufesë dhe vranësirat e parashikuara për ditën e hënë dhe të  martë shihen si të dëmshme për rajonet me të mbjella, në të cilat procesi i korrjes është penguar. Gjatë mesit të javës moti do të jetë më i favorshëm për të zhvilluar këtë aktivitet.

Megjithëse të gjithë lumenjtë e Kosovës kanë dalë nga shtretërit e tyre, kjo nuk paraqet ndonjë rrezik. IHMK lajmëron se kjo situatë do të vazhdojë deri më 21 korrik, kur edhe pritet të ndërpriten reshjet dhe të ketë përmirësime të kushteve atmosferike dhe hidrologjike.

Reshjet e ditëve të fundit shkaktuan probleme “në funksionimin e sistemeve të kanalizimeve, dhe të ujërave atmosferike, vështirësi lokale të qarkullimit rrugor, rrëshqitje të dheut, dëme në bujqësi, dhe në transportin e energjisë elektrike”, thuhet në njoftimin e IHMK-së.

Sasitë më të mëdha të reshjeve arrijnë në total rreth 50 litër për metër katror dhe janë regjistruar në lindje dhe verilindje të vendit.

Një pjesë e madhe e Kosovës, e sidomos Prishtina, kanë pësuar nga stuhia e datës 19/07/2021.

“Vetëm brenda 26 min, nga ora 18:36 deri 19:02, kanë rënë 21.8 mm reshje (l/m2), apo sa gjysma e mesatares shumëvjeçare e muajit korrik në Prishtinë,” njofton IHMK-ja. Gjatë tri ditëve të fundit, “sasia më e lartë e reshjeve është regjistruar në Dragash 59.6, pastaj në Kamenicë me 58.1 mm, Ferizaj 37.1 mm,” që ndiqen më pas nga komunat e Junikut, Malishevës, Podujevës, Istogut, etj.

Mot i ngjashëm është regjistruar edhe në rajon, me reshje shiu, shkarkim rrufesh, dhe në raste më të rralla me reshje breshëri.

Gjeni lajmërimin e plotë këtu.