Instituti gjerman Robert Koch certifikon testimet e Kosovës për COVID-19

Testimet për COVID-19 të Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike në Kosovë do të njihen dhe pranohen nga shteti gjerman, këtë e ka bërë të ditur kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti përmes një shkrimi në facebook.

“Gjatë takimit u bë e ditur se Instituti gjerman “Robert Koch”, ka certifikuar testimet për COVID-19, të IKSHP-së, të cilat do të njihen dhe pranohen edhe nga shteti gjerman. U jemi shumë falënderues për kontributin e deritashëm në luftën e përbashkët kundër pandemisë dhe premtimet për mbështetje të mëtutjeshme”, ka shkrua Hoti.

Kryeministri Hoti, ka bërë të ditur se në këtë takim ishtin të pranishëm delegacioni nga Institutit “Robert Koch” – misioni i përbashkët i ekspertëve mjekësorë nga Gjermania, së bashku me Ambasadorin gjerman në Kosovë, Jorn Rohde, koordinatoren e OKB-së për Zhvillim, Ulrika Richardson dhe përfaqësuesin e Zyrës së Organizatës Botërore të Shëndetësisë në Kosovë, dr. Sergei Koryak dhe  Ministrin e Shëndetësisë, Armend Zemaj.

Në Kosovë brenda një dite numri i testimeve ka arritur rreth 600, edhe pse Ministri Zemaj pati premtuar se numri i testimeve për coronavirus brenda ditës do të arrij deri në 3 mijë e 500 testime.

Që nga muaji mars e deri më sot në Kosovë janë infektuar 15 mijë e 855 persona nga coronavirusi, prej tyre janë shëruar 13 mijë e 929, ndërsa kanë vdekur 632.