Ilustrim

Instituti GAP: BQK po e mban sekret vendimin dhe studimin për rritjen e çmimit të sigurimeve për vetura

Gati dy muaj pas vendimit të Bankës Qendrore të Kosovës (BQK) për rritjen e sigurimeve për vetura, Institutit GAP njofton se i është mohuar e drejta për qasje në këtë vendim.

Më 10 dhjetor 2019, Instituti GAP ka bërë kërkesë në adresë të BQK-së dhe ka kërkuar qasje në Studimin Aktuarial mbi të cilin është bazuar BQK kur ka marrë vendim për rritjen e çmimit të sigurimeve për vetura për 26%, si dhe ka kërkuar qasje në Vendimin e Bordit ekzekutiv të BQK të datës 31 tetor 2019 për rritjen e sigurimeve.

Por sipas Institutit GAP, në kundërshtim me Ligjin për qasje në dokumente publike dhe në kundërshtim me misionin e saj, BQK nuk i ka bërë publike këto dokumente, duke kërkuar nga ta që të takohen me zëvendësguvernatorin, në vend se këto dokumente të bëhen publike.

“Është skandaloze dhe e kundërligjshme që një vendim i organeve publike i cili prek rreth 400 mijë qytetarë të Kosovës të mbahet konfidencial, duke u thirrur në një Rregullore të brendshme për fshehtësinë”, thuhet në reagimin e Institutit GAP.

Instituti GAP e ka përsëritur kërkesën për qasje në këtë vendim dhe studim, por sipas tyre as më 20 dhjetor nuk i është mundësuar kjo qasje. Ky Institut ka njoftuar se do të kërkojë intervenimin e Avokatit të Popullit, para se këtë vendim të BQK-së ta dërgojë në gjykatë.

Po ashtu, Instituti GAP rikujton se më 12 shtator 2019, Autoriteti Kosovar i Konkurrencës (AKK) kishte dhënë mendim profesional për BQK-në ku e paralajmëron së unifikimi i çmimeve sa i përket sigurimit të detyrueshëm nga autopërgjegjësia TPL është në kundërshtim me parimet e konkurrencës në një treg të lirë.

Instituti GAP publikisht kërkon nga BQK që t’i lejohet qasje në  Vendimin e Bordit Ekzekutiv të datës 31 tetor 2019 për rritjen e tarifave të primit të sigurimit të detyrushëm nga auto-përgjegjësia si dhe qasje në të dhënat në nivel të industrisë të cilat do të ndihmonin publikun e gjerë të kuptojë arsyeshmërinë e pohimeve të BQK-së për rritjen e tarifave.

Banka Qendrore e Kosovës (BQK) vendimin për rritje të çmimit të sigurimit të veturave e ka bërë publik më 1 nëntor 2019. Sipas këtij vendimi, rritja e çmimit do të bëhet në nivel me rritjen e normës së inflacionit (rritjes totale të çmimeve) që nga viti 2002 e deri në vitin 2018.

Sipas këtij vendimi, BQK-ja ka kërkuar nga siguruesit që t’i përshtatin tarifat aktuale të sigurimit të veturave për kategorinë e mjeteve për pasagjerë, të cilat janë në fuqi që nga data 1 korrik 2001, me normën e inflacionit zyrtar të publikuar nga Agjencia e Statistikave të Kosovës të datës 01.01.2002 deri më 31.12.2018.

Banka Qendrore e Kosovës në një konferencë të mbajtur për media më 21 nëntor ka folur  për shtrenjtimin e çmimeve të sigurimit të automjeteve.

I pari i BQK-së, Fehmi Mehmeti, në këtë konferencë ka treguar pse është marrë vendimin për shtrenjtimin e çmimeve të sigurimit të automjeteve.

“BQK është rregullator mbikëqyrës për institucionet financiare, këtu janë edhe kompanitë e sigurimeve, ne kemi qëllim që t’i mbrojmë polismbajtësit, ne kemi qëllim të mbrojmë depozitorët e sistemit bankar”, ka thënë Mehmeti.

Ai tutje ka shtuar se vendimi ka ardhur edhe pas rekomandimit të Fondi Monetar Ndërkombëtar,  që të rishikohet edhe fusha e sigurimeve.

Pas vendimit të BQK-së kanë pasur edhe protesta para objektit të BQK-së.