Instituti Evropian: Kosova, shembulli ku pandemia krijoi stuhinë e përsosur për ta rrëzuar qeverinë

Grupi Këshillues i Politikave të Ballkanit në Evropë (BiEPAG) ka publikuar një analizë si përgjigje ndaj politikës në situatën aktuale të pandemisë COVID-19.

Në këtë raport paraqitet një përmbledhje e politikave dhe sfidave demokratike të shteteve të Ballkanit Perëndimor gjatë kohës së coronavirusit. Një pjesë në këtë botim i kushtohet edhe zhvillimeve në Kosovë.

BiEPAG është një iniciativë bashkëpunimi e Fondit Evropian për Ballkanin (EFB) dhe Qendrës për Studime të Evropës Juglindore të Universitetit të Gracit që ka për qëllim promovimin e integrimit evropian të Ballkanit Perëndimor dhe konsolidimin e vendeve demokratike dhe të hapura në rajon.

Në raport thuhet se Kosova është shembulli më i mirë se si pandemia mund të krijojë stuhinë e përsosur për të rrëzuar qeverinë e sapoemëruar.

“Përkundër faktit se përplasjet ndërmjet kryeministrit Kurti dhe presidentit Thaçi janë të kahershme, debati për gjendjen e jashtëzakonshme që çoi te fuqizimi i figurës së dobësuar të presidentit, shkrepi krizën politike”, kanë treguar ekspertët.

Sipas tyre, Kosova shënon rastin e parë ku një qeveri është rrëzuar me votë mosbesimi gjatë pandemisë së COVID-19.

Në këtë pjesë ndërlidhet edhe roli i presidentit Hashim Thaçi, si dhe mundësia për një marrëveshje përfundimtare Kosovë-Serbi.

“Nëse qeveria në detyrë margjinalizohet nga presidenti – i cili, me shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme, merr përsipër përgjegjësinë e plotë mbi situatën – ekziston mundësia e një marrëveshjeje Kosovë-Serbi, të lehtësuar nga administrata amerikane dhe të nënshkruar nga dy presidentët, por që i mungon legjitimiteti më i gjerë demokratik dhe përfshin shkëmbimin e territoreve, me gjithë potencialin për të destabilizuar rajonin”, thuhet në raport.

Në një kapitull të veçantë për “Demokracinë dhe kapjen e shtetit”, theksohet se brenda një muaji, rrethanat e krijuara gjatë pandemisë së COVID-19 kanë kontribuar më tej në trendin e përgjithshëm të erozionit demokratik që përmbysi dy dekada të reformave në Ballkanin Perëndimor.

“Regjimet gjysmë-autoritare në Ballkan kanë shfrytëzuar gjendjen e jashtëzakonshme për të arritur pushtet pothuajse të pakufizuar. Gjendja e jashtëzakonshme krijoi baza të forta për të forcuar më tej regjimet e tyre, të cilat kanë model abuzimi të çdo mundësie për të kapur institucionet demokratike. Burrat e fortë të Ballkanit po e shtrëngojnë më tej kontrollin e tyre të pushtetit dhe kjo situatë mund të zgjasë për një periudhë të pacaktuar kohore”, vijon raporti.

Ekspertët kanë theksuar se masat e jashtëzakonshme të ndërmarra nga qeveritë kundër COVID-19 duhet të jenë të përkohshme dhe me afat të caktuar kohor dhe në përputhje me parimet e demokracisë dhe parimet e sundimit të ligjit.

Sipas tyre, meqenëse qytetarët e Ballkanit Perëndimor nuk mund të mbështeten në sundimin e ligjit as në rrethana të rregullta, pandemia e COVID-19 është shfrytëzuar nga elitat politike për të minuar më tej standardet demokratike.

“Kufizimet dhe shkeljet e të drejtave të njeriut, në kundërshtim me dispozitat e Kushtetutës ose ligjeve, ndryshimet legjislative me procedura të përshpejtuara, ndryshimet në rregullat zgjedhore, futja e masave drakoniane dhe burgosjet për shkak të postimeve në medie sociale – këto janë vetëm disa nga veprimet qeveritare me qëllim të frikësimit të qytetarëve dhe medieve në Ballkanin Perëndimor këtyre ditëve. Për më tepër, partitë politike në pushtet përdorin pandeminë për të testuar kufijtë e pushtetit të tyre ose, më saktë, për zgjerimin e mëtejshëm të ti”, thuhet në raport.

Kjo analizë nxjerr në pah sfidat e qeverive  të vendeve të Ballkanit Perëndimor në kohë të pandemisë për: 1. Rolin e Shtetit, 2. Demokracinë dhe Kapjen e Shtetit, 3. Ndryshimet Gjeopolitike , 4. Nacionalizmat e rinj, 5. Rezistenca sociale, 6. Ndikimi në mjedis, 7. Migrimi dhe kujdesi shëndetësor, 8. Kujdesi shëndetësor dhe siguria shoqërore, dhe 9. Implikimet ekonomike.

Grupi Këshillues i Politikave të Ballkanit në Evropë (BiEPAG) është iniciativë bashkëpunimi Fondit Evropian për Ballkanin (EFB) dhe Qendrës për Studime të Evropës Juglindore të Universitetit të Graz-it (CSEES) që ka për qëllim promovimin e integrimit evropian të Ballkanit Perëndimor dhe konsolidimin e vendeve demokratike dhe të hapura në rajon.