Institucionet publike investuan 49 milionë për 4 vjet në teknologji të informacionit

Zyra Kombëtare e Auditimit ka gjetur se brenda periudhës 4 vjeçare, 2015-2018, institucionet e Republikës së Kosovës kanë shpenzuar në fushën e teknologjisë informative 49 milionë euro.

Ndërsa vetëm institucionet e audituara nga ZKA, që janë Ministria e Zhvillimit Ekonomik, Agjencia e Shoqërisë së Informacionit, Ministria e Financave me Administratën Tatimore të Kosovës dhe Doganën e Kosovës, Ministria e Punëve të Brendshme me Agjencinë e Regjistrit Civil, si dhe komunat-Peja dhe Prizreni, kanë shpenzuar 21.5 milionë euro.

“IRK-të e audituara për katër vitet e fundit 2015-2018 kanë raportuar shpenzime në fushën e TI-së rreth 21,544,174€29. Ndërsa, shpenzimet/investimet në fushën e TI-së nga të gjitha institucionet publike 30 kanë arritur shifrën mbi 49 milion €31. Niveli Qendror ka shpenzuar rreth 45,741,413€ ndërsa niveli lokal rreth 3,826,465€.”, thuhet në raportin e Auditorit.

Auditori ka gjetur parregullsi në aspektin e regjistrimit të shpenzimeve. Sipas Auditorit, një pjesë e shpenzimeve ishin regjstruar me kode ekonomike “pajisje tjera”.

“Një pjesë e shpenzimeve ishin regjistruar me kode ekonomike si ‘Pajisje Tjera’ apo ‘Shërbime kontraktuese tjera’ edhe pse ato mund të klasifikoheshin si ‘Kompjuter’, ‘Souftuer’ apo ‘Pajisje tjera të TI-së. Kjo e ka vështirësuar identifikimin e saktë për shpenzimet e bëra në këtë fushë”, thuhet në raport.

Sipas Auditorit, në institucionet publike që kanë kryer auditim kanë gjetur se mbi 2 milionë euro nuk janë regjistruar sipas ndarjeve ekonomike.

“Vlen të përmendet se vetëm në IRK-të e audituara kemi gjetur që ka mbi 2 milion euro që nuk janë regjistruar sipas ndarjeve ekonomike, çka e ka vështirësuar identifikimin e saktë për shpenzimet e bëra në këtë fushë. Kjo ka ndodhur si pasojë e mungesës së saktë të përshkrimit të kodeve ekonomike”, thuhet në mes tjerash në raport.

Këtu mund ta gjeni raportin e plotë.