"Institucionet nuk e kanë idenë se çka nënkupton zhvillimi i qëndrueshëm"

Banorët, pushteti lokal dhe qendror dhe investitorët privatë kanë prioritete shumë të ndryshme kur bëhet fjalë për zhvillimin e qëndrueshëm në Kosovë.

Disa nga ngjarjet më interesante të kohëve të fundit që ndërlidhen me betejën e vazhdueshme të Kosovës për mbrojtjen e mjedisit kanë qenë protestat kundër ndërtimit të hidrocentraleve në komunën e Shtërpcës.

Banorët e fshatit Biti e Poshtme kanë protestuar kundër projekteve të shumta zhvillimore të planifikuara përgjatë lumit Lepenc që do të kërcënonin burimet e pakta të lumit për afro pesë vjet, duke i futur protestuesit në një konflikt me investitorët, zhvilluesit dhe madje edhe qeverinë e tyre.

Protestat u intensifikuan kur në janarin e vitit 2019, gërmimet për një hidrocentral dëmtuan furnizimin me ujë të një rezervuari që u shërben rreth 2.500 njerëzve . “Unë kam ca hektarë tokë ku buldozeri po gërmon, por askush nuk më ka njoftuar për këtë”, deklaroi protestuesi Stanislav Staletoviq për BIRN në muajin tetor. “Unë erdha këtu për të marrë vesh se çfarë po ndodhte, dhe nëse nuk do të kisha ardhur këtu vetë dhe ta shihja dëmin që i është bërë tokës, nuk mendoj se [komuna] ndonjëherë do të më kishte thënë një gjë të tillë.”

Në tetor të vitit 2019, protestat u bënë të dhunshme kur më shumë se 20 banorë lokalë u lënduan nga policia. Protestuesja Edita Tahiri i tha BIRN se demonstrata ishte paqësore derisa në kohën kur një prej zyrtarëve policorë provokoi turmën duke bërë thirrje që gërmimet të rifillonin. “Kjo nënkuptohej si një mosrespektim ndaj protestuesve,” tha ajo. “Ne u acaruam kështu që ata hodhën sprej mbi ne dhe policia filloi të na kapte.”

Osman Xhuxheviq, studiues i specializuar në hidrocentrale, deklaroi gjatë emisionit televiziv të BIRN ‘Jeta ne Kosove’ të enjten, se si banorët e komunitetit boshnjak në Zhupe ia dolen me shumë sukses të parandalonin me sukses ndërtimin e hidrocentraleve duke protestuar.

“Ka pasur presion të madh nga qytetarët,” tha Xhuxheviq. “Por kjo ndodhi sepse politikanët ishin aty pranë qytetarëve, përfaqësuan interesat e tyre dhe sepse të dy grupet u përpoqën bashkërisht andaj ne ishim në gjendje të parandalonim ndërtimin e hidrocentralit.”

Krahas Xhuxheviqit, pjesë e emisionit televiziv  ishte edhe Avni Zogiani, ish-zëvendësministër i mjedisit, Fatmir Gërguri, Kreu i Komisionit të Pavarur për Miniera dhe Minerale për ta diskutuar dështimin e vazhdueshëm të Qeverisë së Kosovës për të dhënë prioritet mjedisit dhe shëndetit publik mbi zhvillimin ekonomik.

Ekspertë mjedisorë ishin po ashtu pjesë e këtij emisioni, duke tërhequr vëmendjen në serinë e incidenteve që po i shkaktojnë dëme të konsiderueshme ambientit, përfshirë ndotjen e lumit Drenas nga fabrika e Ferronikelit, deponitë e paligjshme në Podujevë, Gjakovë dhe Ferizaj duke dëmtuar shëndetin e banorëve që jetojnë afër tyre, mungesën e një sistemi riciklimi shtëpiak në shkallë vendi, ndotja e lumit Vërmica nga mbeturinat dhe zhdukja e hapësirave të gjelbërta në Gjakovë në mënyrë që të shtrohen rrugë për trotuare më të mëdha.

Shumë  kritika i janë adresuar edhe paaftësisë së institucioneve të Kosovës dhe njerëzve të saj për të paraqitur një fron të përbashkët si dhe një vizion logjik për të ardhmen e qëndrueshme të vendit.

“Ne trokasim nëpër dyer mirëpo askush nuk përgjigjet”, thonë aktivistët

Egzona Shala është një eksperte e biodiversitetit dhe një nga njerëzit që kam udhëhequr një fushatë jashtëzakonisht të popullarizuar nëpër mediet sociale në fillim të këtij viti kundër ndërtimit të planifikuar të një lagje banimi në brigjet e liqenit të Badovcit, për të cilën u tha se rrezikon burimin kryesor të ujit të pijshëm për qytetin e Prishtinës. E përkrahur nga dhjetëra mijëra përkrahës të cilët bënin fushatë kundër këtij zhvillimi, projekti i planifikuar u ndal.

Sidoqoftë, Egzona Shala beson se fakti që ka arritur këtë nivel të vëmendjes nga mediet dhe kundërshtimi i zëshëm zbulon se, për ata që janë në pozitë të marrin vendime për këso lloj projektesh, zhvillimi ekonomik i vendit ka më shumë rëndësi dhe renditet më lartë në listen e prioriteteve të tyre sesa shëndeti publik.

“Situata në Badovc na ka dhënë vërtet një mësim të mirë,” tha ajo. Kur bëhet fjalë për ambientin, nëse i trokitni dikujt në derë askush prej tyre nuk do të përgjigjet. Zhvillimi ekonomik është një prioritet, por nuk mund të bëhet duke dëmtuar shëndetin e njerëzve. ”

Fatmir Gërguri, i cili kryeson Komisionin e Pavarur për Miniera dhe Minerale, ra dakord që mbështetja për projektet zhvillimore që bien në kundërshtim me ligjin për mbrojtjen e mjedisit në Kosovë, duhet të ndalet. Sidoqoftë, ai shtoi se ka përfitime ekonomike për projekte, përfshirë ato që ai mbikëqyrë të tilla si minierat dhe gërmimet e zhavorrit nga shtretërit e lumenjve të Kosovës për qëllime ndërtimi, e të cilat duhet të merren parasysh.

“Njerëzit duhet ti ushqejnë familjet e tyre. Zhvillimi ekonomik i vendit tonë mbështetet në burimet që ka, dhe kur ne punësojmë njerëz për të ndërtuar një vend gurishte (gurore) ose hidrocentral,” tha Gerguri duke shtuar se ka shumë njerëz që mbështeten në këto industri për mbijetesë.

Qëllimi i zhvillimit të qëndrueshëm është balancimi i nevojave të ekonomisë me ato të mjedisit. Sidoqoftë, ish-zv/ministri i mjedisit, Avni Zogiani, paralajmëron se problemet sistemike dhe komunikimi i keq në lidhje me zinxhirin komandues midis degëve të ndryshme të qeverisë po e bëjnë të pamundur zhvillimin e qëndrueshëm.

“Institucionet e Kosovës për krejt këto nuk e kanë pas fare idenë se çka quhet zhvillim i qëndrueshëm,” tha Zogiani. “Secila [ministri] ka zbatuar apo ka ndjekë politika të ndryshme që vendosin sektorë të ndryshëm në konflikt të ashpër me njëri-tjetrin. Për shembull: qeveria ka vendosur objektiva apo projekte ambicioze për prodhim të energjisë me ujë[duke përdorur hidrocentralet], në ndërkohë por ata nuk kanë pas ide në lidhje me gjendjen e ujërave, nëse ka apo nuk ka ujë të mjaftueshëm për t’i arritur ato objektiva. ”

Zogiani thotë se qeveria duhet të zbatojë prioritetet e përcaktuara në ligj. “Legjislacioni i Kosovës përcakton prioritet për distribuimin e ujit. Uji i pijshëm është i  pari, uji për bujqësi do të jetë i dyti, uji për industrinë që nuk është për energji, prapë, i treti,  edhe uji për energji është diku i katërti edhe pastaj krejt në fund diku, është ambalazhuesi etj. Pra kemi përmbysje të prioriteteve, i pari është uji ambalazhues, i dyti uji për energji edhe pastaj uji i pijshëm ka ra diku krejt në fund. ”

Mbi të gjitha, shtoi Zogiani, investitorët që kërkojnë të përfitojnë nga projektet e mëdha të zhvillimit janë kontraktuar nga komunat e Kosovës dhe qeveria e saj qendrore, të cilët miratojnë projekte që nuk kanë pothuajse asnjë përkrahje lokale.

“Ata u japin licencë operatorëve ekonomikë të cilët më pas futen në një lloj kurthi, sepse qytetarët thonë se nuk kanë ujë dhe po shkatërrohet rrjedha e lumenjve,” tha ai. “Por këtyre operatorëve u është dhënë licenca për të ndërtuar, andaj çfarë duhet të bëjnë ata?”

Çështjet procedurale që parandalojnë mbrojtjen e shëndetit

 Emra Cermjani nga OJQ ‘Romët në veprim’ (NGO Roma in Action) gjithashtu beson se institucionet publike nuk po arrijnë t’i japin prioritet shëndetit publik. Si anëtar i Komisionit për Komunitete në Komunën e Gjakovës, ai ka vite që lufton për të larguar një deponi ilegale në lagjen Ali Ibra, duke marrë premtime nga kryetari i komunës se diçka do të bëhet në lidhje me këtë, mirëpo deri më tani nuk është ndërmarrë asnjë veprim.

“Kjo deponi ilegale po prek shumë jetën e komuniteteve romë, ashkalinjë dhe egjiptianë që jetojnë këtu. Secila qeveri, qendrore dhe lokale, ka premtuar ta largojë atë deponi,” tha Cermjani. “Për ne, COVID-19 nuk është diçka e re – shpërthime të epidemive të ndryshme të shkaktuara nga ndotja që ka ardhë nga ajo deponi kemi pas edhe më herët.”

Si përgjigje, Zogiani shpjegoi se komuna nuk mund ta përballojë lëvizjen e kësaj deponie diku në ndonjë lokacion më të sigurt. “Këto mbeturina planifikohen të transferohen në një deponi ligjore në Landovicë afër Prizrenit,” tha ai. “Mirëpo, për momentin, kjo ka një kosto prej rreth 700,000 eurosh, të cilat komuna nuk mund t’i mbulojë. Qeveria mundet, megjithatë, kështu që unë nuk e shoh pse ky duhet të jetë një problem. ”

Jelena Gjokiq , profesore në menaxhimin e mbeturinave në Kolegjin Ndërkombëtar të Menaxhimit të Biznesit në Mitrovicë, tha se një nga arsyet që institucionet publike nuk arrijnë t’i japin prioritet projekteve që janë në interes të shëndetit publik dhe ambientit është se ato kanë tendencë të jenë me kosto të ulët fitimi.

“Ne jemi në dijeni se riciklimi i mbeturinave, për shembull, nuk është fitimprurës,” tha Gjokiq. “Por ne nuk mund ta lëmë në diskrecion të tregut, këto janë probleme ekologjike, dhe nuk duhet të mendojmë në terme të përfitimit. Qeveria duhet të subvencionojë sektorë të tillë sikurse riciklimi që nuk sjell përfitim financiar.”

Sipas Shend Boshnjakut, kreu të OJQ-së ‘Green Energy Kosova’, motivet financiare shpjegojnë gjithashtu shtytjen e qeverisë për të ndërtuar kaq shumë hidrocentrale në lumenjtë e Kosovës.

“Ndërtimi i hidrocentralit ka kosto të lirë dhe fitimi është shumë më i lartë në krahasim me energjinë fotovoltaike ose panelet solare,” tha ai. “Problemi më i madh institucional qëndron tek fakti se për shkak se hidrocentrali konsiderohet energji e rinovueshme, ai mund të shitet për një çmim shumë më të lartë se sa edhe linjiti [qymyri].”

Boshllëqet e mëdha në mbikëqyrjen procedurale të ndërtimit të hidrocentraleve po ua lehtësojnë punën investitorëve privatë, shtoi Boshnjaku. Ai argumentoi se mungesa e inspektorëve të cilët monitorojnë ndërtimin dhe dështimi për të kërkuar vlerësime cilësore që ndikojnë në ambient rezulton me përfitime, si për qeverinë ashtu edhe për investitorët privatë, në kurriz të zvogëlimit të burimeve ujore të Kosovës.

Boshnjaku u bëri thirrje qytetarëve që të kërkojnë konsultime publike dhe transparencë të plotë përmes kërkesave për lirinë e informacionit në mënyrë që të mbahen përgjegjës investitorët dhe institucionet. “Publiku dhe komunitetet e prekura nuk këshillohen asnjëherë në mënyrë të duhur  në lidhje me ndërtimin e mëtejshëm të hidrocentraleve,” tha ai. “E drejta ndërkombëtare garanton të drejtën për këto konsultime dhe qasje në këto dokumente, dhe ata kanë të drejtë të padisin qeverinë e tyre për privimin e kësaj të drejte.”

Për Mustafa Skenderin, drejtor ekzekutiv i televizionit serb në Kosovë ‘TV Mreza’, projektet hidrocentrale ofrojnë pak për ekonominë më të gjerë. “Përtej pesë ose gjashtë personave që këta operatorë privatë punësojnë, cili është interesi publik këtu? Hidrocentralet japin një kontribut shumë të ulët në prodhimin e energjisë, dhe me çfarë çmimi se? ”

Pjesëmarrja qytetare në zhvillimin e qëndrueshëm

Shala beson se përpjekjet e komunitetit të tilla sikurse ato që i kanë ndaluar ndërtimet në Liqenin e Badovcit janë të rëndësishme për ta futur Kosovën në binarët e duhur, dhe se pandemia ka qenë e dobishme në rritjen e popullaritetit të nismave në internet për jetesë ekologjike.

“Të mërkurën, filluam një iniciativë online për grumbullimin e xhamit apo produkteve të qelqit me një kompani të riciklimit të xhamit të drejtuar nga dy persona në Gjakovë,” tha ajo. “Kështu që shumë njerëz mblodhën produkte xhami dhe na sollën neve të cilat pastaj ne do t’ia shisnim kësaj kompanie riciklimi.”

Shala shpreson që këto lloj iniciativash do të rrisin ndërgjegjësimin midis qeverive lokale që janë përgjegjës për trajtimin e mbeturinave. “Njerëzit nuk duan të hedhin gotat tutje, por nuk ka mundësi për riciklimin e saj, dhe ky është detyrimi i komunave,” tha ajo. “Është viti 2020, dhe ne ende nuk kemi riciklim sistematik shtëpiak në Kosovë.”

Sipas Gjokiq, megjithëse është e rëndësishme të mbështesim nismat për grumbullim joformal, të tilla sikurse kjo iniciativa apo nisma e Shalës, janë studentët sikurse ajo në universitetin në Mitrovicë, detyra e të cilëve tani është të lobojnë për përgjegjësi qeveritare dhe përgjegjësi drejt një të ardhme më ekologjike. “Fjalët kyçe janë zhvillimi i qëndrueshëm. Ne kemi nevojë që njerëzit ta kuptojnë se pa të, nuk ka të ardhme. ”