Institucionet e Kosovës investuan në projekte të njëjta të teknologjisë së informacionit

Zyra Kombëtare e Auditimit ka gjetur se institucionet publike të Kosovës për shkak të mosplanifikimit të prioriteteve në investimet në fushën e teknologjisë informative kanë bërë shpenzime të panevojshme e të dyfishta.

Auditori ka gjetur se për shkak të mungesës së strategjisë së qeverisjes elektronike nga ana e Agjencisë së Shoqërisë së Informacionit janë bërë investime të dyfishta e në disa raste të panevojshme.

“Agjencia e Shoqërisë së Informacionit, nuk ka arritur të miratoj strategjinë e qeverisjes elektronike. Në mungesë të kësaj strategjie, Qeveria e Kosovës nuk ka një plan të prioriteteve për investime në fushën e teknologjisë së informacionit. Kjo situatë ka mundësuar që institucionet publike të zhvillojnë projekte paralele për nevojat e tyre, duke krijuar kështu shpenzime të panevojshme dhe investime të dyfishta”, thuhet në raportin e Auditorit.

Sipas Auditorit, institucionet publike të Kosovës nuk kanë arritur të sigurojnë qeverisje të mirë në fushën e teknologjisë.

“Auditimi ka nxjerr në pah se, institucionet publike të Republikës së Kosovës, nuk kanë arritur të sigurojnë qeverisje të mirë të teknologjisë së informacionit”, thuhet në mes tjerash brenda raportit.

Në hartimin e këtij raporti, Zyra Kombëtare e Auditimit ka trajtuar disa institucione publike.

Në këtë auditim janë përfshirë Ministria e Zhvillimit Ekonomik, Agjencia e Shoqërisë së Informacionit, Ministria e Financave me Administratën Tatimore të Kosovës dhe Doganën e Kosovës, Ministria e Punëve të Brendshme me Agjencinë e Regjistrit Civil, si dhe komunat-Peja dhe Prizreni.

Këtu mund ta gjeni raportin e plotë.