Pamje nga Peja | Foto: KALLXO.com

Institucionet arsimore në Pejë mohojnë se pati diskriminim të nxënësve joshumicë për Festën e Abetares

Drejtori i shkollës fillore “Xhemajl Kada” dhe drejtori i Arsimit në komunën e Pejës, e kanë quajtur shtrembërim të realitetit dhe keqinteprestim raportimin që disa nxënës të komuniteteve rom, ashkali dhe egjipas janë diskriminuar në programin e Festës së Abetares.

Mbrëmë televizioni Klan Kosova përmes një kronike ka raportuar për një rast ku shihen disa nxënës të komuniteteve pakicë të ndarë nga pjesa tjetër e nxënësve në Festën e Abetares, në një organizim në sallën Karagaç në Pejë.

Në këtë kronikë shihen disa nxënës të komuniteteve joshumicë me kapela festive të vendosur në pjesën lartë ku qëndron audienca të ndarë nga nxënësit që po festonin në qendër të sallës.

Ky raportim ka nxitur reagime të shumta në opinion, duke u konsideruar diskriminim ndaj komuniteteve joshumicë. Por, institucionet arsimore në Pejë po e mohojnë këtë raportim duke thënë që nxësësit e ndarë nuk janë bashkëmoshtarë të atyre që kanë festuar Festën e Abetares.

Sylë Peli, drejtor i shkollës fillore “Xhemajl Kada” në Pejë për KALLXO.com tha që nxënësit e ndarë nuk janë nxënës të klasës së parë por të mësimit intensiv. 

Por, sipas tij ata kishin shprehur dëshirën që ta shikojnë Festën e Abetares dhe janë mirëpritur nga mësuesja që të bëhen pjesë e festës.

“Mësuesja ka pasur në agjendë me i marrë fëmijët edhe t’i dërgojë në parkun e qytetit, nxënës që nuk janë nxënës të klasës së parë. Mbasi e kanë kryer agjendën i kanë thënë ‘a bën me ardhë me pa programin për Festën e Abetares’. Kështu që ne i kemi dhënë leje që munden me ardhë, se edhe ashtu janë ardhë me vonesë diku rreth orës 13:30, pasi që programi ka qenë i kryer edhe janë sistemuar në atë pjesën andej”, tha drejtori i shkollës.

Peli tha që ia kanë dy paralele në shkollë me rreth 50 nxënës të mësimit intensiv të cilët jane regjistruar me vonesë apo të riatdhesuar, pasi që ata të aftësohen i integrojnë nëpër klasa së bashku me të tjerët.

“Këta fëmijë janë për momentin duke vijuar mësimet me vonesë se janë regjistruar në shkollë. Në momentin që ata aftësohen që të hyjnë tamam tek bashkëmoshtarët e tyre, ne i integrojmë në paralelet në shkollën tonë. Nuk i kemi në veç 50 nxënës të komuniteteve rom, ashkali dhe egjiptas, por rreth 230 nxënës. Gjithë pjesa tjetër janë të integruar nëpër paralelet tjera”, tha ai. 

Ai tha që ka qenë e vërejtshme në ekran që nxënësit nuk kanë qenë 6 vjeçarë, por të rritur 8-9 vjeçarë.

Sipas tij, për këtë rast nuk ka nvojë të marrë përgjegjësi askush për shkak se e gjitha është vetëm një keqintepretim nga mediat.

“Mësuesja ua ka marrur edhe nga një kapelë me kusht që mos të diskriminohen”, tha Peli.

Edhe drejtori i Arsimit në Komunën e Pejës, Naser Gega për KALLXO.com tha që mediat nuk e kanë prezantuar realitetin.

Sipas tij, realiteti është se nxënësit janë të mësimit intensiv të moshave 10-16 vjeçarë.

“Kanë ardhur në palestër pas orës 13. Janë vendosur sipas dëshirës dhe janë sjell shumë mirë. Askush nuk ua ka ndaluar shprehjen e ndjenjave. Ata së bashku me gjithë femijët e tjerë kanë qenë të mrekullueshëm”, tha ai.

Ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci, përmes një postimi në Facebook ka premtuar se këtë rast do ta shqyrtojnë me prioritet të mërkurën me Drejtorinë e Arsimit të Komunës së Pejës.

“Si ministre, mësimdhënëse, nënë e qytetare, dënoj çdo formë diskriminimi, në çdo relacion, e posaqërisht kur bëhet fjalë për fëmijët, te cilët duhet t’i rrisim me dashuri e barazi në çdo hap të  jetës!”, ka shkruar Nagavci.

Edhe ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, ka kërkuar nga institucionet që të thirren në përgjegjësi personat përgjegjës.

“Si ministër, si qytetar i këtij komuniteti dhe si qytetar i Republikës së Kosovës, përveçse e dënoj ashpër këtë gjest, ftoj institucionet që të thirren në përgjegjësi personat kompetent, të cilët e kanë bërë këtë gjest të rëndë”, ka shkruar Krasniqi në Facebook.