Inspektori i ndërtimit në Pejë dyshohet se nuk i ndali punimet e kundërligjshme

Mentor Beqiri, inspektor i Ndërtimit në Komunën e Pejës është ndaluar dje nga Prokuroria nën dyshimet se ka kryer vepër penale të keqpërdorimit të pozitës apo autoritetit zyrtar.

Ndaj tij prokuroria ka kërkuar paraburgimin.

Sipas Prokurorisë, Beqiri ka qenë i ngarkuar si inspektor për inspektimin e objekteve “NNT Gështenja Ndërtimi” dhe “5 V Home”.

Dosja e prokurorisë thotë se inspektori Beqiri nuk i ka inspektuar fazat e ndërtimit ashtu siç obligohet dhe nuk ka raportuar për parregullsitë e objektit i cili nuk ishte i ndërtuar sipas projektit në pikat gjeodezike të caktuara sipas kushteve dhe lejeve ndërtimore.

Po ashtu sipas Prokurorisë, i pandehuri Mentor Beqiri nuk i ka ndaluar këto punime por ka lejuar vazhdimin e tyre.

Mbrojtësi i të pandehurit Beqiri, avokati Osman Cucoviç, e konsideroi të pabazuar propozimin e prokurorisë për masë të paraburgimit ndaj klientit të tij, duke kërkuar lirimin e klientit të tij.

Ai tha se asnjë prej kushteve që është thirrur prokuroria nuk qëndron.

Kjo ndër tjera pasi sipas tij të gjitha shkresat për këtë dosje janë siguruar nga Prokuroria, andaj nuk ekziston mundësia për fshehjen apo falsifikimin e tyre.

Avokati po ashtu e kundërshtoi faktin se më lënien në liri të klientit të tij ekziston mundësia që ai të ndikojë në dëshmitar, pasi sipas mbrojtjes Prokuroria nuk ka evidentuar cilët dëshmitar kanë për t’u proceduar për këtë çështje.

Në anën tjetër prokurorja e rastit, Lumturije Vuçetaj, tha se personat e identifikuar në dispozitiv të aktvendimit për hetime do të procedohen si dëshmitar.

Sipas prokurores, masa e paraburgimit është e vetmja masë efektive në këtë fazë të procedurës.

Vendimi për kërkesën e Prokurorisë lidhur me masën e paraburgimit do të merret brenda 48 orëve nga momenti që i pandehuri është sjellë para gjykatës.