Inspektorët e Shpendit Ahmetit shqiptojnë gjoba duke u bazuar në fotografi, kurse Inspektorët e Mytaher Haskukës jo

Ditë më parë përmes një artikulli të publikuar në KALLXO.com, Rrjeti Ballkanik i Gazetarisë Hulumtuese – BIRN, njoftoi se përmes një shkrese drejtuar Inspektoratit Sanitar të Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë si dhe Inspektorateve Komunale të Prizrenit dhe Prishtinës, i ka njoftuar institucionet përgjegjëse për dy raste të mos respektimit të vendimit të Qeverisë së Kosovës për parandalimin e përhapjes dhe kontrollit të infeksionit COVID-19.

BIRN e ka informuar inspektoratin për dy raste gjatë të cilave kishe qenë vetë kreu i shtetit, Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi, ai i cili nuk i ka respektuar masat e qeverisë për mbrojtje nga virusi.

Përmes kësaj shkrese BIRN u ka kërkuar institucioneve përgjegjëse të thirrura për monitorimin e respektimit të masave të Qeverisë, që të monitorojnë respektimin e këtyre masave duke kërkuar që të veprohet me të gjithë në mënyrë të njëjtë, pa përjashtim, e sidomos me theks të veçantë ndaj personave të cilët bartin në vete edhe peshën e ndikimit në shoqëri, siç është rasti me Presidentin Hashim Thaçi.

Lidhur me informatën e pranuar nga BIRN, disa ditë më pas udhëheqësi i Inspektoratit Sanitar, në Prizren përmes email-it i ka thënë BIRN-it se në rastin konkret ndaj Presidentit të vendit, Inspektorati nuk mund të zhvilloj procedurë me arsyetimin se nuk kanë qenë prezent në vendin e ngjarjes siç parashihet me ligj.

“Ne rastin konkret, për të cilin ju më keni parashtruar pyjen lidhur me mos mbajtjen e maskës nga ana e presidentit, nuk ka mund të zhvillohet procedurë, sepse Inspektori Sanitar nuk ka qenë prezent në vendngjarje për të hartuar procesverbalin dhe për ta konstatuar shkeljen ligjore, nuk ka qenë në dijeni për rastin konkret, nuk është ftuar nga askush, dhe nuk mund të inicoj procedurë gjyqësore bazuar në fotot e rrjeteve sociale, ngase bazuar në Ligjin mbi Inspektoratin Sanitar të Kosovës ( Neni 17.3 ), është i obliguar që të jet prezent, të hartoj proqesverbal dhe të konstatoj shkeljet ligjore, në të kundërtën Inspektori Sanitar do të vepronte në zbatim të Ligjit, njëjtë si për të gjitha rastet kur konstaton shkelje ligjore”, thuhet në përgjigjen e pranuar nga udhëheqësi i Inspektoratit sanitar në Prizren, Faredin Ajdini.

Mirëpo ndryshe nga Inspektorati i Prizrenit, të thirrur në të njëjtin ligj, Inspektorati i Prishtinës gjatë ditës së sotme i ka shqiptuar gjobë një personi duke u bazuar në një foto të pranuar në rrjete sociale, pa qenë prezent në vendngjarje.

Kryetari i Prishtinës Shpend Ahmeti, përmes një postimi në rrjetin social “facebook”, ka bërë të ditur se inspektorati i ka shqiptuar gjobë në vlerë prej 200 eurove një personi i cili e kishte parkuar veturën në hapësirë të gjelbër.

Pasi që ditën e djeshme nëpër rrjete sociale qarkulloi një foto ku shihej një veturë e parkuar në një vend të destinuar si hapësirë e gjelbër, menjëherë ditën e nesërme ka qenë inspektorati që ka vepruar duke e gjobitur qytetarin që kishe parkuar në zonën e ndaluar për parkim.

Në mbledhjen e datës 13 korrik 2020, Qeveria e Kosovës me qëllim të parandalimit të përhapjes dhe kontrollit të infeksionit COVID-19, mori vendim me anë të të cilit i obligoi të gjithë banorët e Republikës së Kosovës që të bartin maskat për fytyrë në të gjitha aktivitetet jashtë shtëpive/banesave të tyre, si dhe të mbajnë distancë fizike prej 2m në ambiente të përbashkëta jashtë shtëpive/banesave të tyre.

Ndonëse qytetarëve vazhdimisht po u kërkohet vetëdijesim përballë këtij virusi, kanë qenë vetë zyrtarët e lartë, ata të cilët në disa raste jo vetëm që nuk e kanë respektuar vendimin e Qeverisë por në një farë forme kanë promovuar mos respektimin e masave për mbrojtje nga virusi COVID-19.

Vendimet e qeverisë Hoti nuk vlejnë për Skënder Hysenin, sërish i reziston maskës

Për mos respektimin e vendimeve të Qeverisë janë qytetarët e vendit ata që po gjobiten e po ndiqen penalisht, prandaj duke qenë dëshmitar të këtyre veprimeve, Rrjeti Ballkanik i Gazetarisë Hulumtuese – BIRN, kërkon nga institucionet përgjegjëse monitorim të respektimit të këtyre masave si dhe ndëshkim të të gjithë atyre që nuk i respektojnë masat, pa dallim.

Në Kosovë aktualisht janë mbi 8 mijë persona të prekur me COVID-19.

8104 persona janë pozitiv me coronavirus, 4463 të shëruar dhe 212 të tjerë kanë vdekur, e përkundër këtyre shifrave alarmuese persona publik që bartin funksione të rëndësishme në vend shihen në dalje publike duke promovuar mos respektimin e vendimit të Qeverisë për mbrojtje nga virusi.

Prandaj BIRN në vazhdimësi do t’i informoj institucionet përgjegjëse në çdo rast kur vëren mos respektim të vendimit për parandalimin e përhapjes dhe kontrollit të infeksionit COVID-19.