Arkiv - Shpend Ahmeti_Autobusë

Inspektorët e Shpend Ahmetit nuk e bën asnjë inspektim për mirëmbajtjen e shkollave

Inspektorët komunal të Prishtinës nuk kanë kryer asnjë inspektim gjatë vitit 2017/2018 për verifikimin e mirëmbajtjes së objekteve shkollore të këtij qyteti.

Kjo është thënë në raportin e Zyrës Kombëtare të Auditimit  “Menaxhimi i Mirëmbajtjes së Institucioneve Publike Arsimore”, ku është shtuar se ata kanë bërë inspektime në institucione të tjera por jo në shkolla.

“Inspektorati komunal nuk i ka konsideruar si të domosdoshme dhe me prioritet vlerësimin e kushteve në objektet shkollore krahas problemeve të tjera në fushën e ndërtimit, dhe përmirësimit të rendit publik. Ky departament nuk e ka mbuluar fare sektorin e vlerësimit të kushteve të mirëmbajtjes në objektet shkollore dhe nuk posedojnë të dhëna apo raporte përmbledhëse për gjendjen e tyre”, është thënë në raportin e ZKA-së.

Në raportin e ZKA-së po ashtu është theksuar edhe  mungesa e inspektimeve të përgjithshme të mirëmbajtjes nga Departamenti i Inspektoratit të Arsimit në MAShT, kryesisht të inspektorëve të arsimit në Prishtinë.

ZKA po ashtu ka pasur kritika edhe ndaj tyre, ku ka thënë se asnjëherë nuk kanë bërë inspektime të përgjithshme por vetëm speciale.

“Numri i inspektimeve në komunën e Prishtinës është tejet i ulët në raport me numrin e inspektorëve, që do të thotë se një (1) inspektor ka kryer rreth pesë (5) inspektime speciale gjatë vitit 2017, përderisa nuk ka kryer as një inspektim të përgjithshëm ku parashihet verifikimi i mirëmbajtjes së objekteve. Ndërsa, në vitin 2018 një (1) inspektor ka kryer 13 inspektime në vit, prej të cilave shumica janë inspektime special”, është thënë në raport.

Zyra Kombëtare e Auditimit ka theksuar se në këtë komunë është vizituar dhe vlerësuar ShFMU “Ismajl Qemajli”, për të cilën ka thënë se objekti është i vjetër dhe ka nevojë për gëlqerosje dhe renovime.

“ Ajo çka është intervenuar urgjentisht është shkarkimi i mjeteve të panevojshme nga depot e shkollës dhe intervenimi në disa nyje sanitare. Tualetet janë rinovuar në vitin 2015, me ç ‘rast janë ndërruar nyjat sanitare, dyshemeja dhe muret, megjithatë nuk është intervenuar si duhet në ventilim. Gëlqerosja pranverore dhe dezinsektimi i objektit nuk është bërë gjatë viteve 2017/18”, thuhet në raport.

Tutje ZKA ka thënë se në objekt nuk është realizuar siç duhet mirëmbajtja sezonale dhe inventari i shkollës është tejet i dëmtuar.

“Edhe pse drejtori i shkollës ka përcjellë kërkesat në DKA, nuk ka bërë një planifikim më urgjent të buxhetit apo aktiviteteve për përmirësimin e gjendjes. Qëllimi i këtij planifikimi do të ishte që me shpenzime minimale të ofrohen kushtet bazike për fillimin e vitit shkollor”, është thënë tutje.

Ata kanë shtuar se gjatë auditimit në këtë shkollë është vërejtur përdorimi i batanijeve të cilat nuk janë higjienike dhe praktike.

“Sipas menaxhmentit të shkollës, operatori ekonomik zakonisht furnizohet me materiale higjienike të cilat nuk japin efektet e dëshiruara. Mirëpo është vërejtur se përveç operatorit ekonomik edhe komuna ka furnizuar të njëjtën shkollë me mjete dhe materiale higjienike, gjë që ka shkaktuar dyfishim të shpenzimeve dhe dëmtim të buxhetit”, thotë ZKA.

Sa i përket realizimit të shërbimeve higjenik, ZKA ka thënë se këto shërbime nuk janë në nivel të kënaqshëm, ka vështirësi në organizmin e tyre, mirëmbajtja rutinore që përfshinë higjienën ditore nuk është në nivelin e pranueshëm, tualetet janë të papastra, objekti ka kondensim të ajrit dhe rrjedhje të nyjeve sanitare.

Si rekomandim ZKA-ja ka thënë se  institucionet përgjegjëse duhet të angazhohen në realizimin e aktiviteteve dhe të ndërmarrin masa përmirësuese për të siguruar që me resurset që kanë në dispozicion të krijojnë kushte të përshtatshme dhe hapësirat publike të mirëmbahen në mënyrë të vazhdueshme për të mundësuar zhvillimin e mësimit në një ambient të shëndetshëm dhe me kushtet bazike mësimore.

Auditori ka ngritur alarmin edhe për disa komuna të tjera, ku ka thënë se disa shkolla nuk kanë kushte minimale të mirëmbajtjes.

Mosmirëmbajtja e Shkollave Shkakton Rregullisht Miniepidemi

ZKA ka bërë të ditur se për të vlerësuar menaxhimin e mirëmbajtjes në institucione arsimore kanë audituar Ministrinë e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Agjencinë e Ushqimit dhe Veterinarisë, Drejtoritë Komunale të Arsimit në tri komuna: Prishtinë, Vushtrri dhe Ferizaj.

Ky instuticioni ka rekomanduar që hapësirat publike të objekteve shkollore të mirëmbahen në vazhdimësi për të mundësuar zhvillimin e mësimit në një ambient të shëndetshëm dhe me kushtet bazike mësimore.

KALLXO.com kishte raportuar se Shkolla Ekonomike dhe Juridike ‘Hoxhë Kadri Prishtina’ në kryeqytet është e rrethuar me mbeturina.
https://kallxo.com/lajm/pamje-shkolla-ekonomike-ne-prishtine-deponi-e-berllokut/

Ndërsa, në vitin 2013 ishte bërë një reportazh për mirëmbajtjen e disa shkollave të Kosovës.

Mosmirëmbajtja e Shkollave Shkakton Rregullisht Miniepidemi

www.kallxo.com