Foto: Ilustrim

Inspektorët e AUV në aksion, zbrazin lokalet gastronomike në Prishtinë

Inspektorët e Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë kanë dal mbrëmjen e sotme në teren për të bërë kontrollime të shtuara në lokalet gastronomike në Prishtinë.

Zëdhënësi i Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë, Lamir Thaçi ka thënë për KALLXO.com se lokalet në Prishtinë, të cilët kanë bërë organizimet për festat e marsit, janë duke u zbrazur.

“Lokalet që kanë bërë organizime janë duke u zbrazur në qendër të qytetit. Me të gjitha kapacitetet inspektuese do të jemi në teren gjatë kohës se festave të marsit që të parandalojmë mosrespektimin e  masave anti-COVID në mënyrë që të kujdesemi për parandalimin e përhapjes së COVID-19”, ka thënë Thaçi.

Ai ka thënë se varësisht nga nevoja dhe bazuar në  planet operacionale për mbikëqyrje dhe kontroll do të jenë të gatshëm që të kryejnë detyrat ligjore në secilin rast që paraqitet nevoja të veprohet.

“Festimet që rrezikojnë shëndet dhe jetë nuk arsyetohen. Shteti është i vendosur të pengoj përhapjen e virusit”, u shpreh Thaçi.