Vetura e Inspektoratit Shendetësor

Inspektorati Shëndetësor me vetëm një veturë

Inspektorati Shëndetësor në kuadër të Ministrisë së Shëndetësisë ka vetëm një veturë në dispozicion për të kryer inspektime në terren.

Sipas Shaban Osmanajt, zëvendësues i Kryeinspektorit Shëndetësor, kjo situatë po u sjell shumë telashe gjatë punës.

“Inspektorati Shëndetësor ka edhe një problem të çështjeve teknike, çështja e veturave që për fat të keq për momentin jemi në një pozicion jo shumë të favorshëm. Ministri Latifi ka marrë veprimet e para dhe në bazë të informatave që unë kam, për këtë vit janë ndarë shuma në një vlerë të caktuar për blerjen e së paku katër veturave” – thotë Osmanaj.

“Për momentin kemi shumë vështirësi në vetura. Do ju them, nuk e di a më besoni, por një veturë për momentin e kemi… Kombinohemi me vetura, kur ata kanë nevojë por bëhen edhe inspektime përreth institucioneve ku mund të kryhen inspektime, qoftë edhe në aspektin fizik e kam fjalën në SHSKUK” – deklaron ai.

Por, mungesa e veturave nuk është problemi i vetëm i kësaj trupe inspektuese.

“Për këtë janë në dijeni edhe ministri Latifi edhe sekretari por kemi gjetur mbështetjen e tyre, të paktën janë aprovuar kërkesat tona. Deri në momentin që ne po flasim, Inspektorati Shëndetësor ka kryer mbi 700 inspektime, duke inspektuar institucionet shëndetësore të tri niveleve dhe të natyrës private dhe publike, gjatë këtij viti” – thotë ai.

Osmanaj thotë se numri aktual i inspektorëve nuk mjafton për të mbuluar të gjitha institucionet e licencuara shëndetësore në vend.

“Për momentin kemi 10 inspektorë. Nuk janë të mjaftueshëm fare sepse nëse bëjmë një parallogaritje të kohës së inspektimit dhe numrit të institucioneve të licencuara, private dhe publike, i bie që një institucion mund të inspektohet se paku një herë në tre vjet e gjysmë” – deklaron ai.

Përmes një përgjigje me shkrim, Ministria e Shëndetësisë tha se ka nisur procedurat për blerjen e veturave për këtë trupë inspektuese.

“Ju njoftoj se Inspektorati Shëndetësor i ka 4 vetura në përdorim, sipas informatave që kam vetëm një veturë është në funksion/qarkullim (vetura Suzuki me tabela 3Z-119-12). Në mungesë të kontratës për servisim, 3 vetura janë jashtë qarkullimi, kërkesa për servisimin dhe mirëmbajtën e veturave zyrtare të MSh-së është inicuar në fund të vitit 2021” – thuhet në përgjigje.

“Për blerjen e veturave për këtë vit janë ndarë 200 mijë euro dhe 200 mijë euro për vitin e ardhshëm” – thuhet tutje në përgjigje.

Ky dikaster ka plane edhe për rritjen e numrit të inspektorëve.

“Janë përfunduar procedurat e brendshme për lëvizje brenda institucionit për kategoritë e njëjta por nuk ka pasur të interesuar, kurse me datë 20.06.2022 i jam adresuar ministrit të Shëndetësisë me kërkesë për staf shtesë sipas KASH 2023-2025 si në vijim: Për vitin 2023 – 42 zyrtarë, për vitin 2024 – 37 zyrtarë, për vitin 2025 – 20 zyrtarë” – thuhet në fund të përgjigjes.