Nënshkrimi i marrëveshjes për hapjen e Zyrës së Inspektoriatit të Punës në Zveçan. Foto: Inspektoriati i Punës.

Inspektorati Qendror i Punës hap zyrën në Komunën e Zveçanit

Në Komunën e Zveçanit është hapur zyra e Inspektoriatit Qendror të Punës.

Marrëveshjen e ka nënshkruar më 06.08.2024, kryeinspektori i Inspektoratit Qendror të Punës, Hekuran Nikçi, në ambientet e Komunës së Zveçanit së bashku me kryetarin e Komunës së Zveçanit, Ilir Peci.

Në njoftimin e Inspektoriatit të Punës shkruan se me rastin e hapjes së kësaj zyreje në Komunën e Zveçanit ku theksoi se të drejtat e punëtorëve do të mbikqyren edhe në këtë pjesë të Republikë së Kosovës.

Në këtë vizitë mori pjesë gjithashtu zëvendësministri i Financave, Agon Dobruna që sipas njoftimit të Inspektoriatit, ritheksoi vendosmërinë e Qeverisë së Republikës së Kosovës për shtrirjen e sovranitetit në të gjithë territorin e Kosovës.

“Ndërkaq, Kryetari Peci shprehi vendosmërinë në bashkëpunimin mes pushtit lokal dhe atij qëndror për përmirësimin e jetës së qytetarëve të Komunës së Zveçanit”- shkruan në njoftim.

Kryetari i komunës në një bisedë për KALLXO.com pak orë para se të hapet kjo zyrë, potencoi se deri më tani nuk ka asnjë inspektor të angazhuar në këtë komunë, mirëpo sipas tij pritet të angazhohen tre inspektorë.

Se pse nuk është finalizuar deri tani hapja e kësaj zyre, Peci arsyetohet se nuk ka pasur përkrahjen e qeverisë e gjithashtu ka pasur faktorë të tjerë që e kanë penguar.

“Se kemi pasë shumë obligime qysh e dijmë të gjithë, qysh e dijmë të gjithë procedurat të cilat kanë qenë në veri dhe deri më sot nuk i ka ardhë koha dhe nuk kanë qenë të gatshëm as nga qeveria me na përkrahë në këtë drejtim. Kundër kësaj kemi bo me dhjetë herë kërkesë mirëpo nuk u realizu ajo dhe kemi pritë”- përfundoi Peci paraditen e 06.08.2024.