
Foto: Denis Sllovinja/KALLXO.com
Inspektorati Policor rekomandon shtimin e policëve në Veri në Njësinë e Trafikut Rrugor
Inspektorati Policor i Kosovës ka rekomanduar shtimin e policëve në Drejtorinë Rajonale Mitrovicë – Veri, përkatësisht në Njësinë e Trafikut.
“IPK i rekomandon Drejtorit të Drejtorisë së Personelit, që në bashkëpunim me Drejtorinë Rajonale Policore – Mitrovicë Veriu, të sigurojnë personel të mjaftueshëm për të përmbushur strukturën dhe kapacitetet e Njësisë Rajonale të Trafikut Rrugor – Mitrovicë Veriu.” – thuhet në Raportin e Inspektimit të IPK-së.
Lista e Personelit të Autorizuar (LPA) ka bërë të ditur se në Mitrovicë të Veriut janë tre rreshterë dhe 30 policë në Ekipe patrulluese, ndërsa në Ekipin e hetimeve janë vetëm tre policë e nuk ka rreshter fare.
“Nëse e përcjellim individualisht gjendjen sasiore me burime brenda secilës Njësi, pasqyrohet se Njësia e Trafikut Rrugor në Mitrovicë të Veriut ka tre rreshterë – 21 policë më pak krahasuar me Listën e Personelit të Autorizuar. Njësia e Trafikut Rrugor në Mitrovicë – Pejë në Ekipe patrulluese ka pesë policë më shumë.” – thuhet në njoftimin e IPK-së.
IPK njofton se janë kontrolluar 658 mostra të ngjarjeve, ku ka pasur reagim për dalje në vendin e aksidentit. Në Mitrovicë të Veriut, nga pranimi i informatës në arritjen e tyre në vendin e ngjarjes shënohet kohëzgjatja prej 21 minutash.
Ndonëse, në Raport thuhet se në përgjithësi zyrtarët policorë të trafikut kanë të kryer trajnimin bazik në fushën e sigurisë së trafikut rrugor. Sipas IPK-së ka prej tyre që nuk kanë trajnime nga fusha e trafikut, për shkak se janë policë të rinj apo të lëvizur nga Njësi të tjera.
“Nga të gjitha këto Njësi, vetëm 26 zyrtarë policorë kanë të kryer trajnime të avancuara për analizën e aksidenteve, edhe atë: Njësia për Kontrollin e Autostradës – tre policë, ndërsa sa i përket Njësisë së Trafikut Rrugor në Pejë janë trajnuar shtatë policë; në Mitrovicë të Veriut – tre, Mitrovicë të Jugut – dy, Gjilan – pesë, Gjakovë – dy, Ferizaj – një dhe Prishtinë – tre.” – përfundon IPK-ja.