Inspektorati Policor: Për policët e Drejtorisë Rajonale të Prishtinës më së shumti ankesa

Inspektorati Policor i Kosovës ka publikuar raportin vjetor të punës për periudhën janar – dhjetor 2022.

Të dhënat që janë paraqitur në këtë raport kanë treguar se ankesat më të shumta që janë pranuar për punonjësit policorë janë për ata që mbajnë një pozitë pune në Drejtorinë Rajonale të Prishtinës (DRP).

Gjithsej 766 ankesa u pranuan në këtë periudhë në IPK për punonjësit e Policisë së Prishtinës, Fushë-Kosovës, Lipjanit, Obiliqit, Podujevës, Drenasit e Graçanicës.

Sipas të dhënave, pas rajonit të Prishtinës, DRP-ja për të cilën ka më shumë ankesa është ajo e Gjilanit, me 161 ankesa, pastaj Ferizaj me 159.

Vendin e katërt për nga numri më i madh i ankesave e zë DRP e Pejës (155 ankesa), ndërsa në vendin e pestë me nga 135 ankesa janë Prizreni dhe Mitrovica e Jugut.

Për DRP-në e Gjakovës janë 98 ankesa, ndërsa për atë Mitrovicë e Veriut 59.

Sa i përket Drejtorive Rajonale të Kufijve, nga 11 ankesa janë për punonjësit e DRPK në veri dhe në lindje, ndërsa për atë në perëndim nuk ka asnjë ankesë.

Ky raport i IPK-së sot është prezantuar edhe para Komisionit për çështje të sigurisë dhe mbrojtjes nga kryeshefi ekzekutiv, Kushtrim Hodaj.

IPK është mekanizëm i pavarur mbikëqyrës, i pavarur nga Policia e Kosovës dhe funksionon sipas modelit të vendeve perëndimore që aplikojnë standarde të larta ndërkombëtare të kontrollit policor dhe respektimit të të drejtave të njeriut.

Si mekanizëm është themeluar në korrik të vitit 2006 dhe funksionon bazuar në Ligjin për Inspektoratin Policor të Kosovës.

Për 1 vit më shumë se 250 punonjës policorë të hetuar nga IPK