Fotografia e cila po qarkullon nëpër rrjetet sociale, ku shihen disa nxënës dhe një person i rritur tek sa japin përshëndetje ushtarake me flamurin e Turqisë.

Inspektorati: Mësuesi nga Prizreni bëri shkelje

Inspektorati i arsimit ka konstatuar që mësimdhënësi, Selver Shantir, i cili ditë më parë kishte publikuar një fotografi në “Facebook” me disa nxënës të shkollës fillore “Motrat Qiriazi” në këtë qytet, duke bërë përshëndetje ushtarake para një flamuri turk, ka bërë shkelje.

Ky raport i është dërguar Drejtorisë Komunale të Arsimit.

Zëdhënësi për media në Komunën e Prizrenit, Lis Dorambari, tha se Drejtoria e Arsimit në këtë komunë ende nuk ka marrë ndonjë vendim.

“Nuk është marrë akoma ndonjë vendim nga DKA. Drejtoria e ka pranuar prej inspektoratit procesverbalin edhe pritet të marrë vendim pasi që ta shqyrtoj atë”, ka thënë Dorambari për KALLXO.com.

Kurse, drejtori i Inspektoratit të Arsimit, Dëfrim Gashi tha për KALLXO.com se në rastin e mësimdhënësit, Shantir inspektorati ka konstatuar se ka shkelje të ligjeve.

“Inspektorët e arsimit në Prizren e kanë inspektuar rastin dhe kanë ardhur në përfundim se mësuesi ka bërë shkelje dhe e ka keqpërdorur detyrën zyrtare dhe ne i kemi rekomanduar Drejtorisë Komunale që në harmoni me legjislacionin në fuqi të merren të gjitha masat në rastin në fjalë. Mbetet në dorën e Drejtorisë së Arsimit në Prizren që të vendos për këtë çështje”, tha Gashi.

Rasti i mësimdhënësit Shantir kishte nxitur reagime në vend këtë të dielë, ku pas kësaj drejtoria e Arsimit në Prizren dhe Inspektorati menjëherë të hënën kishin vizituar këtë shkollë për të marrë sqarime.

Drejtoresha e Arsimit në këtë komunë, Xhemile Thaçi- Vezgishi, kishte thënë për KALLXO.com se ditëve në vijim do të mirret një vendim, ku edhe kishin paralajmëruar masa ndaj tij konform ligjeve në fuqi.

Në lidhje me këtë fotografi kishte reaguar edhe Këshilli i Prindërve të Kosovës, ku e kanë cilësuar si manipulim me nxënësit.

“Nxënësit shkollën e kanë vend edukimi e arsimimi, asgjë më shumë. Prandaj Këshilli i Prindërve të Kosovës, u bënë thirrje institucioneve përgjegjëse që të ndërmarrin masat që i parasheh ligji “, thuhet në reagimin e këtij Këshilli.

Në anën tjetër Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë veprimin e mësimdhënësit nga Prizreni e ka cilësuar si abuzim ndaj fëmijëve dhe ka thënë që do të marrë masa ndaj tij ditëve në vijim.

“Shkollat nuk janë hapësira për aplikimin e asnjë lloj ideologjie dhe abuzimi në këtë formë me fëmijët është në kundërshtim me konventat ndërkombëtare dhe me ligjet e aplikueshme në Kosovë. MAShT fton mësimdhënësit, nxënësit, prindërit dhe gjithë komunitetin, që të reagojnë dhe ta paraqesin çdo rast të abuzimit me fëmijët, sepse vetëm në këtë mënyrë do të mund të mbrojmë fëmijët tanë nga çdo lloj rreziku që iu kanoset”, thuhej në reagimin e MAShT-it.